2014-12-14 11:08:29

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 13 dhjetor


Shemà Israel!
Dëgjo, Izrael! (Lp 5,1)
Ky është urdhërimi i parë, që Zoti i jep popullit të Izraelit.
Në Librat e Shkrimit Shenjt folja “me ndigjue”, njëherësh me frazeologjitë e proverbat e saj, është një nga më të përdorurat. Ashtu si në çdo fjalor. “Dëgjohet një zë”; “Dëgjoj zërin e Zotit” “Ia dëgjoj frymëmarrjen” “I dëgjohet fjala e zëri”; “Vetëm ai dëgjohet këtu”- janë disa nga shprehjet, ku ngërthehet folja ‘dëgjoj”.
Një shprehje tjetër, urdhëron: “Fol pak e dëgjo shumë!”. E kjo, sepse kur dëgjon, edhe kupton. E kur kupton, nuk mund të mos e shikosh jetën si dhuratë, rrënjët e së cilës nuk i përkasin atij, që e jeton.
“Shemà Israel!”; “Dëgjo!”.
Fjalë magjike kjo.
Përpiqem ta përkthej nga hebraishtja këtë fjalë magjike e papritmas më thith misteri, që e mbështjell.
Ditët që jetoj, horizonti drejt të cilit shkoj, përvoja ime, veprimet që kryej e edhe pasojat e tyre, janë udhë e së mirës, që duam ta realizojmë e ta pohojmë. Kuptoj, ndërkaq, se nuk jam në gjendje ta rrok gjithë misterin, nuk mund ta kap, siç do të dëshiroja, çdo ditë e çdo çast. Dëgjoj e kuptoj se misteri nuk mund të kapet. Ai mundet vetëm të përfytyrohet, të merret me mend, të besohet, më shumë sesa të shihet e të kuptohet.
Atëherë nuk më mbetet tjetër, veçse të vihem në dëgjim të urtisë së ardhur nga qielli, nga Ai, që është fillesa e fundi. Vetëm urtia e ardhur nga lart, pa më më shkarkuar nga përgjegjësitë personale, nga zgjedhja e rrugës, ku do të ec, e as nga drejtimi, që do të marr, më prin kah ajo përvujtëri, që e shikon çdo faqe të historisë vetjake e shoqërore, si pjesë e së tërës, e nuk më lë të joshem nga fodullëku, që varfëron. Më shpëton nga kotësia e mendimit se kam kapur qiellin me dorë, duke më treguar qiellin e vërtetë, drejt të cilit duhet të shtegtoj çdo ditë.


“Dëgjo, o Izrael! Thirrja më kujton se duhet të jem i përvuajtur, i nënshtruar, i vëmendshëm e të kem frikë para Atij, që më dhuroi jetën. Më kujton se duhet të ndërroj jetë, këtu e tani.

“Dëgjoji, o Izrael, urdhërimet dhe ligjet, që po i shpall sot para jush: mësoji e vëri në jetë!
Zoti, Hyji ynë, lidhi me ne besë në Horeb. Këtë besë Zoti nuk e lidhi me etërit tanë, por me ne, që jemi sot këtu, me të gjithë ne, që jemi gjallë. Zoti foli me ju sy për sy në mal, prej mjedisit të zjarrit. Unë isha ndërmjet jush e Zotit asokohe, që t’jua shpallja fjalët e tija, sepse ju e kishit frikë zjarrin dhe nuk u ngjitët në mal”.
Nga Libri i Ligjit të përtrirë, 5, 1-5







All the contents on this site are copyrighted ©.