2014-12-12 16:57:28

Predikimi i Kohës së Ardhjes. Kantalamesa: “Paqja në Kishë është vëllazërimi”


Paqja është dhuratë e Shpirtit Shenjt, por njëkohësisht, edhe detyrë. Kisha është e thirrur ta ndërtojë mbi vlerat e vëllazërimit, brenda saj, e me dialog, jashtë saj. Ky ishte thelbi i reflektimit të Atë Raniero Kantalamesës në predikimin e dytë të Kohës së Ardhjes, me praninë e Papës dhe të Kuries Romake.

Stategji e stërholluar, kundër thjeshtësisë çarmatosëse! Të gatitësh çka duhet për të vrarë e për të rrënuar, domethënë luftën, nuk është e lehtë. Është përpjekje e vështirë, që kërkon llogari tejet të ndërlikuara e paguhet me çmim shumë të lartë. Ndërsa të fitosh të mirën më të madhe, nga e cila nuk do të hiqte dorë askush, në asnjë kulturë, paqen, nuk kushton asgjë:
“Paqja nuk bëhet si lufta. Për të bërë luftë, duhet të përgatitesh gjatë: të krijosh ushtri të mëdha, të sendërgjosh strategji, të sanksionosh aleanca e pastaj të hidhesh bashkërisht në sulm. Mjerë ai, që do të dëshironte t’ia niste i pari, i vetëm e i shkëputur nga të tjerët: do të shpartallohej pa asnjë dyshim, e sakaq. Ndërsa paqja bëhet në mënyrë krejt të kundërt: duke ia nisur menjëherë, i pari, edhe një njeri i vetëm, edhe me një shtrëngim të thjeshtë dore. Paqja është punë artizani, ka thënë pak kohë më parë Papa Françesku”.
Është një nga shembujt që, siç e ka zakon, Atë Kantalamesa e propozon për t’i bërë më të kapshme reflektimet e tij shpirtërore. Qëllimi i meditimit të dytë është të tregojë se paqja – parë në predikimin e parë si “dhuratë e Hyjit” është njëkohësisht edhe detyrë konkrete si dhe angazhim tipik kristian, që vetë Jezusi ua besoi dishepujve e që të shtyn t’i quash veprimtarët e paqes “bij të Hyjit”. Në të njëjtin vit, kur perandori August kremton “pax romana”, fryt i fitoreve të legjioneve të tij, Jezusi, vërejti atë Kantalamesa, i tregon njerëzimit se ka edhe një mënyrë tjetër për ta siguruar paqen:
“Edhe e Tija është ‘paqe’ fryt i fitoreve, por fitoreve mbi vetveten, jo mbi të tjerët, fitoreve shpirtërore, jo ushtarake. Mbi kryq, shkruan Shën Pali, Jezusi ‘shkatërroi në vetvete armiqësinë’: shkatërroi armiqësinë, jo armikun. E rrënoi në vetvete, jo në të tjerët. Udha e paqes, e propozuar nga Ungjilli, nuk ka kuptim vetëm në fushën e fesë; vlen edhe për fushën politike. Sot shikojmë qartësisht se e vetmja udhë e paqes është të shkatërrosh armiqësinë, jo armikun. Armiqtë shkatërrohen me armë, armiqësia, me dialog”.
Me dialog krijon paqen shoqërore, që është fryt i drejtësisë, e me dialog krijon edhe paqen ndërmjet feve të tjera, pohon atë Kantalamesa, posaçërisht paqen ndërmjet dy popujve vëllezër, popullit hebre e atij të krishterë, që kanë vuajtur edhe tepër nga përçarjet. Por vëmendjen kryesore predikatari e pëqendroi tek Kisha e tek mënyra si e jeton paqen, në gjirin e saj. Paqja tregohet, theksoi, përmes vëllazërisë, së cilës, kujtoi, Papa Françesku i kushton Mesazhin e tij për Ditën e ardhshme të paqes. Sigurisht, për të qenë një zemër e vetme e një shpirt i vetëm, duhet dikimi i Shpirtit Shenjt, e këtë e dëshmon pikërisht ajo, që ndodh ditën e Rrëshajëve. Para se të merrnin Shpirtin Shenjt, apostujt diskutonin ndërmjet tyre kush ishte më i madhi; por më pas nuk mendojnë as kush është i madh e as i vogël: mendimi i tyre i vetëm është kumtimi i lavdisë së Hyjit. E kundërta e Kullës së Babelit:
Duan t’u ndërtojnë një tempull hyjnive, por jo për lumni të hyjnive; për t’u bërë të famshëm, për të bërë emër, e jo emrin e Hyjit, Hyji manipulohet, duhet t’i shërbejë lavdisë së tyre. Edhe Apostujt, për Rrëshajë, nisin të ndërtojnë një qytet e një kullë, qytetin e Hyjit, që është Kisha, e jo më për emrin e vet, por për emrin e Hyjit. E dëgjuesit ua vënë veshin pikërisht sepse nuk flasin për vetveten. Zjarri i Rrëshajëve përvëloi në shpirtin e tyre çdo lloj ambicjeje personale”.
Që këtu, kujton atë Kantalamesa, e mori Shën Agostini shtytjen për të shkruar “Qytetin e Hyjit”, ku “Qyteti i Shejtanit”, Babilonia, e ndërtuar mbi dashurinë për vetveten deri në përbuzjen e Hyjit, i kundërvihet “Qytetit të Hyjit”, Jeruzalemit, të ndërtuar mbi dashurinë e Hyjit, deri në flijimin e vetes. E kjo, pika ku ngulmon atë Kantalamesa: dy qytetet janë dy kantiere të hapura deri në fund të fundit të botës, e të gjithë duhet të zgjedhim në cilin prej tyre dëshirojmë ta shkrijmë jetën:
Çdo nismë, edhe më shpirtërorja, siç është ungjillëzimi i ri, mund të jetë o Babel ose Rrëshajë (madje edhe ky meditimi im mund të jetë ashtu). Është Babel, nëse secili nga ne dëshron të bëjë emër me të; është Rrëshajë, nëse, në kundërshtim me ndjenjën natyrore, që të shtyn të kërkosh lavdinë tënde, e vë lavdinë e Hyjit e të mirën e Kishës përmbi të gjitha dëshirat e tua personale, me vullnet të plotë, sepse Hyji shikon vullnetin e thellë, jo ndjesitë natyrore”.
Kjo, përfundoi atë Kantalamesa, tregon një fakt, që jo gjithnjë merret parasysh: Shpirti Shenjt nuk i zhduk larmitë, nuk i sheshon automatikisht ndryshimet. Edhe Apostujt, pas Rrëshajëve, patën arsye për të diskutuar e secili shprehu bindjen e vet, me liri e respekt, por pa u ndarë në parti e as në grupe:“Ç’dhanti do të ishte për Kishën nëse do të bëhej shembull vëllazërie! E edhe është, së paku shumë më tepër sesa duan ta paraqesin bota e mediat: por mund të bëhet gjithnjë më shumë. Ndryshimet e opinioneve, e kemi parë, nuk duhet të jenë pengesë e pakapërcyeshme. Mjafton, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të vihet çdo ditë në qendër të ndjeteve Jezusi dhe e mira e Kishës, e jo fitorja e opinionit personal”.







All the contents on this site are copyrighted ©.