2014-12-12 16:56:49

Papa Françesku pret Ushtrinë e Shëlbimit: nevojtarët, në qendër të vëmendjes së përbashkët


Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë një delegacion të Ushtrisë së Shëlbimit, lëvizje ndërkombëtare evangjeliste, themeluar në Londër, në vitin 1865. Është organizata më e madhe misionare botërore, pas Kishës Katolike. Ati i Shenjtë kujtoi se vitet e fundit, kjo lëvizje ka bashkëpunuar frytshëm me Këshillin Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, duke u dhënë jetë një sërë bisedimesh teologjike, të cilat janë mbledhur në një libër, që iu dhurua Papës Françesku.
Duke kujtuar një episod simpatik nga jeta e vet, Ati i Shenjtë përshkoi me dy fjalë udhën e ekumenizmit përjetuar nga katolikët:
“Kur isha katër vjeç – në vitin 1940 [qesh] e askush prej jush s’kishte lindur akoma, eh? – ecja rrugës me gjyshen. Në atë kohë, ideja ishte që të gjithë protestantët shkonin në Ferr. Por, nga ana tjetër e trotuarit po vinin dy gra të Ushtrisë së Shëlbimit, me atë kapelen karakteristike, që keni ju… E unë e kujtoj si sot, se i thashë gjyshes: ‘Po ato kush janë? Murgesha?’. E gjyshja më tha: ‘Jo. Janë protestante. Por janë të mira’. E kështu, gjyshja, për hir të dëshmisë suaj, më hapi portën e ekumenizmit: predikimi i parë ekumenik për mua, ka qenë ai para jush. Thank you very much (Faleminderit shumë)”.
Papa vuri në dukje se katolikët dhe salvacionistët e përqendrojnë vëmendjen tek nevojtarët e në periferitë e botës e për hir të fesë së përbashkët në Krishtin, bashkëpunojnë në nismat për t’i ndihmuar të varfërit, për të afruar të largëtit, për t’u dhënë dorën të përjashtuarve në udhëkryqet e rrugëve:
“Lutem, që në botën e sotme, të gjithë dishepujt e Krishtit të japin kontributin e tyre me të njëjtën bindje e me të njëjtin dinamizëm, që tregon Ushtria e Shëlbimit në shërbimin e saj të çmuar. Dallimet ndërmjet katolikëve dhe salvacionistëve në çështjet teologjike dhe ekleziologjike nuk duhet ta pengojnë dëshminë e dashurisë sonë të përbashkët për Zotin e për të afërmin, dashuri, në gjendje të frymëzojë përpjekje energjike në impenjimin për t’u ridhënë dinjitet atyre, që jetojnë në periferitë e shoqërisë”.
Në fund, pasi u lut për punën e salvacionistëve, Papa Françesku u kërkoi evangjelistëve të luten për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.