2014-12-11 13:33:38

Paqja, në qendër të predikimeve të Kohës së Ardhjes në Vatikan.


Është paqja, tema kryesore e predikimeve të Kohës së Ardhjes, që filluan të premten e kaluar në Vatikan, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik.RealAudioMP3 Në tri të premtet, që i paraprijnë Krishtlindjes, meditimet e Atë Kantalamesës do të ndihmojnë në reflektimet për paqen, parë si dhuratë e Hyjit në Jezu Krishtin, si detyrë, për sigurimin e së cilës duhet punuar e si fryt i Shpirtit Shenjt . “Paqe mbi tokë njerëzve, që Hyji i do”: kështu e titulloi këtë cikël predikimesh të Kohës së Ardhjes predikatari i Shtëpisë Papnore. E intervistuam:

Përgjigje: - Po shpjegojmë titullin: është kumti që marrin barinjtë Natën e Krishtlindjes. E, siç e shohim nga kumti i Shkëndellës, paqja është, sidomos, diçka që zbret nga qielli, është dhuratë e Hyjit, është fija që zbret nga lart e që lidh të gjitha fijet e tjera të paqës njerëzore. Pa të, paqja njerëzore është gjithnjë e ligshtë. Sigurisht kjo dhuratë e Hyjit bëhet edhe detyrë për t’u kryer. E në predikimin e dytë mendoj të flas pikërisht për këtë: për paqen, parë si detyrë.

Pyetje: - Ju do të flisni edhe për temën e paqes, si fryt i Shpirtit Shenjt…

Përgjigje: - …fryt që e dëshirojmë të gjithë, sepse kur flasim për paqen, kur njerëzit flasin për paqen, mendojnë për paqen e zemrës, paqen e familjes, për atë paqe që, sipas Biblës, është virtyt, është fryt edhe i përpjekjes personale, është dhuratë e Hyjit, pa harruar se duhet mirëpritur e duhet ruajtur edhe përmes përgjigjes së lirë të njeriut. E është kjo paqe që, pastaj, bëhet jetë, shenjtëri, sepse të gjithë shenjtorët kanë folur për këtë paqe, që zbret në zemër, kur bën vullnetin e Zotit. Poeti ynë, Dante Alighieri, ka shkruar një varg për këtë paqe. Varg që thotë gjithçka: “Asht vullndesa jote, paqja jonë”! E kjo do të thotë se paqja e zemrës varet nga vullneti i Hyjit.

Pyetje: - Cilat tekste ju duken më të përshtatshme për ta shoqëruar meditimin tonë për këtë Kohë pritjeje?

Përgjigje: - Tekstet kryesore, që përdor unë, janë gjithnjë ato të Shkrimit Shenjt, ku paqja është e gjithëpranishme: hir e paqe: është binom gati-gati i pandarshëm në Bibël. Pasuria e kësaj fjale në faqet e Shkrimit Shenjt është vërtet e pashterrueshme. E pastaj, në tekstet e Biblës, posaçërisht në predikimin e dytë, më ndihmuan shumë, shumë, tekstet e Papës Françesku, shkëputur nga Evangelii Gaudium. Më vjen keq që po e detyroj të dëgjojë, çka ai e di më mirë se unë, sepse e ka shkruar vetë, por mendoj se duhet ta ridëgjojmë ndonjë fjalë nga kjo Letër.

Pyetje: - Si mund ta sigurojmë paqen konkretisht? Thënë figurativisht, si mund ta gatuajmë?

Përgjigje: - Përsëritet shpesh, e ka shkruar Shën Gjon Pali II e edhe Papa Françesku flet shpesh për të: paqen mund ta sigurojmë përmes dialogut. Dialogut në një farë niveli, sidomos, atij politik. Kur dialogohet, heshtin armët. Përndryshe, flasin. Por për ne, të krishterët, fjala armë ka edhe një kuptim tjetër. Armë për ne është edhe lutja. Prandaj Kisha lutet vazhdimisht: në çdo Meshë lutet për paqen, lutet para çdo Kungimi: “da pacem, Domine”, “O Zot, jepu paqe ditëve tona!”. Prandaj mendoj se dialogu, lutja, mirëkuptimi, e edhe njohja - njohja nga afër - mund t’i shndërrojë armiqtë në miq. T’i njohësh mirë ligështitë, kufizimet, rrethanat, në të cilat vepron njeriu, ndihmon shumë për sigurimin e paqes.

Pyetje: - Ç’ kontribut mund të japë secili nga ne, për të siguruar paqen në zemra e në botë?

Përgjigje: - Unë them, zakonisht se ashtu si miliona pika uji të ndyrë, nuk bëjnë kurrë një det të pastër, kështu edhe miliona zemra pa paqe, nuk bëjnë kurrë një njerëzim në paqe. Na e kujton mesazhi për Ditën botërore të paqes i Gjon Palit II: “Paqja lind nga zemra”. Prej këndej, duhet kultivuar në zemër, por pa u trazuar, pa ankth. E pastaj duhet përhapur rreth vetes, në bashkësi, në mjediset ku punohet. Ky është kontribut i çmuar për paqen.

Pyetje: - Fjalët, që meritojnë të kujtohen më shpesh në këtë Kohë të Ardhjes?

Përgjigje: - Fjala më e mirë është ajo, që na la Jezusi: “Ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap, siç e jep bota!”. E Natën e Pashkëve gati thithej në ajër, gati prekej, paqja e dhuruar nga Jezusi.










All the contents on this site are copyrighted ©.