2014-12-11 13:32:47

Papa: Hyji na do si të ishte nënë, të mos e shndërrojmë hirin në mall


“Hyji është si nënë, na do pa kushte, po ne shpesh duam ta kontrollojmë këtë hir, si të ishte ndonjë llogari shpirtërore”: këtë pohoi Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.RealAudioMP3

Hyji e shpëton popullin e vet jo nga larg, por duke qenë gjithnjë pranë tij, me dhimbsuri, si nëna, që dialogon me fëmijën e vet; që i këndon nina nana fëmijës e bëhet si fëmija e i gëzohet gugatjes së tij e i përgjigjet me zë fëmije, aq sa ndokujt mund t’i duket qesharake. Ndokujt, që nuk arrin ta kuptojë se në këtë sjellje ka shumë madhështi. “Mos u tremb, krimbi i Jakobit!”. Po sa herë ia thotë nëna fëmijës, ndërsa e ledhaton, eh? E Zoti thotë: po të bëj trinë të re trinojëse, që ka grremça të dhëmbëzuara; malet do t’i trinosh, do t’i gërryesh, pluhur kodrat do t’i bësh… Kështu thotë Zoti, e fjala e tij i ngjet ninullës së nënës, që e ledhaton foshnjën, duke e thirrur me emrat më të çuditshëm për veshin e huaj e duke i pëshpëritur të gjitha dëshirat e zemrës, për ta parë të madh, të ndershëm, trim… Nëna e ledhaton foshnjën dhe e shtrëngon në gji.Kështu bën edhe Zoti me ne. Kështu është dashuria e Hyjit. Zoti është tejet pranë nesh e na e shpreh dashurinë e tij me ngrohtësinë e nënës.
Zoti na do pa kushte, pa pritur t’ia shpërblejmë, pohoi Papa, ashtu si nëna foshnjën. E fëmija i gëzohet dashurisë së nënës: ky është hiri i Hyjit. Por ne, shpesh herë, për të qenë të sigurt, duam ta kontrollojmë hirin e, në histori, edhe në jetën tonë, tundohemi ta shndërrojmë hirin në mall, ta bëjmë si mall tregu, si diçka që mund të kontrollohet. E nganjëherë arrijmë deri atje, sa të themi me vete; “Po, unë kam shumë hir”, ose “E kam shpirtin të pastër, jam gjithë hir”:
E kështu, kjo e vërtetë kaq e bukur e afërsisë së Hyjit, bëhet gati-gati si të ishte llogari shpirtërore: “Po e bëj këtë, sepse më jep 300 ditë hir… Po e bëj edhe këtë tjetrën, sepse më jep këtë e atë, e kështu mbledh hire mbi hire. Po çfarë ësht, hiri? Mall? Me sa duket, po! Duket se kështu është. Prandaj në histori kjo afërsi e Hyjit u tradhtua për shkak të sjelljes së njerëzve egoistë, që donin ta kontrollonin hirin, ta kthenin në mall.
Papa kujtoi, në vijim, grupet që, në kohën e Jezusit, donin ta kontrollonin hirin. Farizenjtë, që ishin shndërruar në skllevër të një mori ligjesh, të cilat ia ngarkonin mbi shpinë popullit të shkretë. Saduçenjtë, me kompromiset e tyre politike. Esenët, të mirë, tejet të mirë, por që nuk donin ta rrezikonin veten, kishin frikë nga rreziku e atëherë shkonin e mbylleshin në manastiret e tyre. Zelotët, për të cilët hiri i Zotit ishte lufta për çlirim, një mënyrë tjetër për ta kthyer hirin në mall.
Hiri i Hyjit, nënvizoi Ati i Shenjtë, është krejt tjetër gjë: është afërsi, dhimbsuri. Ky rregull shërben përgjithnjë. Nëse ti, në lidhje me Zotin, nuk e ndjen se Ai të do me gjithë zemrër, atëhere shihet se të mungon diçka, se nuk e ke kuptuar hirin a se nuk e ke marrë ende hirin, që është pikërisht afërsia e Hyjit.
Për ta bërë më të kuptueshme gjithë këtë, Françesku kujtoi një rrëfim, bërë vite më parë, kur një grua torturohej nga që dyshonte në vlerën e Meshës, ndjekur një të shtunë mbasdite, gjatë një martese, me lexime të ndryshme nga ato të së dielës. Pendestarja mori përgjigjen: “Po, o zonjë, Zoti ju do shumë. Ju shkuat atje, morët Kungimin, ndejët me Jezusin… Po, mos u torturoni kështu, Zoti nuk është tregtar, Zoti do, nga afër…”.
E Shën Pali, vijoi Papa, reagon me forcë kundër përshpirtërisë së ligjit: unë jam i drejtë, nëse bëj këtë e këtë e këtë. E nëse nuk e bëj këtë tjetrën, nuk jam i drejtë. Mos harro kurrë se je i dretjë vetëm pse Zoti është pranë teje, pse të ledhaton, të thotë gjëra të bukura e t’i thotë me dashuri. Edhe me rrezikun që të duket qesharak, si nëna mbi djep. Zoti ynë është tejet i mirë. Po të kishim guxim e ta hapnim zemrën tonë për këtë dashuri të Hyjit, sa liri shpirtërore do të fitonim. Sa! Sot, po patët sadopak kohë, në shtëpinë tuaj, merreni në dorë Biblën, shfletojeni, lexojeni Isainë, Kapitulli i 41-të, nga verseti 13 deri te i 20-ti, shtatë versete. Lexojini! E do të ndjeni dhimbsurinë e Hyjit, këtij Hyji, që na këndon secilit nga ne, si të ishim akoma në djep. Na këndon ninulla, si nënë!









All the contents on this site are copyrighted ©.