2014-12-11 15:10:34

Ndryshimet klimaterike. Papa: mbetet pak kohë për rrugëzgjidhje të përshtatshme


Koha për të gjetur rrugëzgjidhje globale lidhur me pasojat e ndryshimeve ambientale, po merr fund. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin drejtuar Ministrit të Ambientit të Perusë, Manuel Pulga Vidal, kryetar i Konferencës së OKB-së mbi klimën, që do të përfundojë nesër, në Limë.
Vetëm duke vepruar së bashku e në harmoni, nënvizon Papa, mund të gjinden rrugëzgjidhjet e duhura për t’u bërë ballë ndryshimeve ambientale, që po ndjehen që tani e në mënyrë dramatike, në shumë shtete, posaçërisht në viset ishullore të Paqësorit. Pasojat, shpjegon Ati i Shenjtë, na kujtojnë sa rëndë peshojnë moskokëçarja e plogështia.
Temat, në qendër të vëmendjes në Konferencë kanë të bëjnë me fatet e gjithë njerëzimit, e posaçërisht të të varfërve e të breznive të ardhshme. Është përgjegjësi e rëndë etike e morale. E fakti, shkruan Papa, që Konferenca mbahet në brigjet pranë rrymës detare Humboldt, që lidh simbolikisht popujt e Amerikës, Oqeanisë e Azisë, është shumë domethënës. Duke kujtuar qartë detyrën etike për të vepruar, Papa Françesku nënvizon se lufta kundër ngrohjes globale do të jetë e mundur vetëm përmes përgjigjes kolektive plot përgjegjësi, të lirë nga presionet politike dhe ekonomike.







All the contents on this site are copyrighted ©.