Papa: Sinodi nuk e ka prekur të vërtetën e martesës së krishterë
Kurrfarë cenzure, transparencë në kulm, respekt absolut për të vërtetat themelore
të Sakramentit të Martesës. Ky, e jo ai që u paraqit në shkrimet gazetareske, të cilat
e shoqëruan, ishte Sinodi kushtuar familjes, kremtuar tetorin e kaluar. E pohon qartë
Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit,
në të cilën Papa nisi një cikël të ri katekizmi, kushtuar pikërisht jetës familjare. Natyrisht televizioni,
interneti, shtypi e ndoqën me shumë vëmendje Sinodin, ndonëse secili sipas mënyrës
së vet. Si të ishte kronikë sportive, që i stërmadhon përplasjet ndërmjet skuadrave
kundërshtare. Ose duke folur për fraksione, për konservatorë e progresistë e duke
e katandisur ballafaqimin, në një sërë manovrash politike. Po Sinodi mbi familjen
nuk ishte kështu! Papa Françesku niset prej këndej, prej begatisë së informacionit,
kufizimeve të tij kulturore e gjuhës së përdorur në media lidhur me ngjarjen, që duhej
përshkruar, për të treguar me gojën e vet si shkuan, në të vërtetë, punët e ç’rezultate
pati takimi i ipeshkvijve, në tetorin e kaluar. I tërë katekizmi është përpjekje
për të pastruar fushën nga shtrembërimet e paragjykimet, është pohim i së vërtetës
dhe i thelbit të fjalëve, që thanë ipeshkvijtë në këto dy javë, duke nisur nga mënyra
si u thanë, domethënë, me lirinë e plotë të shprehjes: “Mbi të gjitha, u kërkova
Etërve sinodalë të flasin me sinqeritet e guxim e të dëgjojnë me përvujtëri. Ta thonë
pa ngurrim gjithçka kanë në zemër. Në Sinod nuk pati cenzurë paraprake, por secili
mundej, madje duhej, ta thoshte atë, që kishte në zemër, atë që mendonte sinqerisht.
Gjithnjë, kur kërkohet vullneti i Zotit, në një asamble sinodale, ka disa këndvështrime
të ndryshme, ka edhe diskutime, e kjo nuk është aspak gjë e keqe! Mjafton të bëhet
me përvujtëri e me shpirtin e shërbimit, në asamblenë e vëllezërve”. Aspak
cenzurë, shumë dëgjim e fjalë, të cilat Papa i quajti “të urta”, duke pasur parasysh
mënyrën si u shprehën. Françesku i falënderoi të gjithë, posaçërisht Etërit sinodalë,
që qenë me të vërtetë shumë të aftë, para se të prekte një pikë delikate, që gjatë
ditëve të sinodit u interpretua në një mori mënyrash, e shpesh, edhe me tone dyshimtare
ose polemike: “Asnjë diskutim nuk e vuri në dyshim të vërtetën themelore të
Sakramentit të Martesës, domethënë, të pazgjidhshmërisë, të unitetit, të besnikërisë
e të dëshirës për t’i hapur udhën jetës së re”. Papa përshkroi saktësisht fazat
e ndryshme të Sinodit, të pasuara nga ballafaqimi në sallë: Relacionin pas-diskutimit
të kardinalit Erdë, vlerësimin e tij nga katër grupe të ndryshme gjuhësore, Relacionin
përfundimtar, pasuruar nga kontributi i grupeve, hartimin e Mesazhit përfundimtar.
Françesku arriti, kështu, në përfundim, duke pohuar se “Mesazhi përfundimtar”, “Dokumenti
përfundimtar” dhe “Fjalimi përfundimtar i Papës”, janë të vetmet dokumente zyrtare
të Sinodit e nuk ka të tjera: “Disa nga ju mund të më pyesin: ‘U grindën Etërit?’.
Sigurisht jo, nuk u grindën. Folën me zë të lartë, është e vërtetë. Po kjo është liri,
liri, që ndjehet fort në Kishë. Gjithçka ndodhi “cum Petro et sub Petro”, domethënë,
në praninë e Papës, që është garanci lirie e besimi për të gjithë, e edhe garanci
e ortodoksisë”. Mendimi i fundit, para se t’ia besonte Zojës së Bekuar kohën
ndërmjet dy sinodeve, e të lutej për ndriçimin nga lart të fjalës, që u duhet thënë
të gjitha Kishave, Papa i shpjegoi edhe një herë botës çfarë është sinodi, por edhe
çfarë nuk është. Për shembull, nuk është strukturë parlamentare: “Sinodi është
hapësirë e mbrojtur, që Shpirti Shenjt të mund të veprojë në të: nuk pati ndeshje
ndërmjet fraksioneve, si në parlament, ku kjo gjë është e lejueshme, por ballafaqim
ndërmjet ipeshkvijve, pas punës së gjatë përgatitore, që tani do të vijojë me një
punë tjetër, për të mirën e familjeve, të Kishës e të mbarë shoqërisë. Është proces,
udhë normale sinodale”. Gjatë përshëndetjeve, pas përmbledhjes së katekizmit
në gjuhë të ndryshme, Papa u kujtoi besimtarëve Kohën e Ardhjes, duke uruar që kjo
kohë t’i ndihmojë ta kenë sa më pranë Ungjillin, të jenë solidarë me vëllezërit e
të rizbulojnë shpresën e krishterë, që ndihmon për t’i jetuar me guxim edhe situatat
më të vështira. Në përfundim, Papa ia besoi të rinjtë Zojës së Loretos, festa liturgjike
e së cilës u kremtua sot.