2014-12-10 15:30:13

Mesazhi i Papës për Paqen: vëllazërimi të fitojë mbi skllavërinë


Të globalizojmë vëllazërimin për të fituar mbi fenomenin e neveritshëm të skllavërisë. Kjo është zemra e Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 48-të Botërore të Paqes, e cila do të kremtohet më 1 janar 2015. Dokumenti,e titull “Kurrë më skllevër, por vëllezër”, m vë në pah shkaqet më të thella të trafikut të njerëzve, denoncon rrjetet kriminale, që nxjerrin fitime prej tij dhe, u bën thirrje shteteve të gjithë botës të bëjnë kontrolle të rrepta kundër korrupsionit, për të siguruar dënimin e kriminelëve.RealAudioMP3
Sot në mesditë, dokumenti u paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë nga kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, nga Sekretari i të njëjtit Këshill, imzot Mario Toso, nga funksionari i dikasterit, Vittorio V. Alberti dhe nga murgesha komboniane, motër Gabriella Bottani, përgjegjëse e Rrjetit Ndërkombëtar të Rregulltareve kundër Trafikut të Njerëzve “Talitha Kum”. Për burimin frymëzues të Mesazhit, foli kardinali Turkson:
“Duke marrë shkas nga Letra e Shën Palit drejtuar Filemonit, e nga pjesë të tjera të Biblës, Ati i Shenjtë dëshmon se në planin e Zotit për njerëzimin nuk ka vend për skllavërimin e të tjerëve, sepse Zoti i nxit të gjithë bijtë e vet t’i përtërijnë marrëdhëniet me të tjerët, duke respektuar në secilin shembëllimin dhe ngjashmërinë me Hyjin, si edhe dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo njeriu, me besim në Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit, i cili mund ta bëjë të re zemrën e njeriut, aty ku mëkati e ka tepruar”.
Dy, pjesët kryesore të Mesazhit të Papës Françesku. Në të parën, Ati i Shenjtë përshkruan fytyrat e shumta të skllavërisë moderne. Në pjesën e dytë, Papa bën thirrje për ta luftuar këtë krim, që e lëndon rëndë njerëzimin, me aksion të përbashkët, përmes globalizimit të vëllazërimit. Imzot Toso rreshtoi njëra pas tjetrës, viktimat e skllavërimit, për të cilat flet Ati i Shenjtë në pjesën e parë të mesazhit:
“Flasim për: a) punëtorë e punëtore, edhe të mitur, të nënshtruar, në nivelin formal e informal në tiplogji të ndryshme punësh, që nga ato shtëpiake në ato bujqësore, industriale, minerare, si në vendet ku legjislacioni për të drejtat në punë nuk është sipas normave dhe standarteve minimale ndërkombëtare, ashtu edhe në vendet ku puna mbrohet me ligj, por në praktikë shumë punojnë ‘në të zezë’; b) shumë emigrantë, që në udhëtimet e tyre dramatike, me shpresën e një të ardhmeje më të mirë, vuajnë nga uria, privohen nga liritë, zhvishen nga pasuritë, abuzohen fizikisht dhe seksualisht; c) njerëz, edhe të mitur, që detyrohen të marrin udhët e prostitucionit; për gra e vajza që martohen me zor e madje, edhe shiten për këtë qëllim…d) të mitur e të rritur, objekte të tregtisë së organeve, të marrjes me zor për ushtar, për lypës, për veprimtari të paligjshme si shitja e drogës, ose birësimi i rremë ndërkombëtar; e) njerëz të rrëmbyer e të mbajtur peng nga grupet terroriste”.
Shkaqet e skllavërisë moderne janë të shumta. Ati i Shenjtë vë në dukje së pari, mëkatin, që e korrupton zemrën e njeriut dhe e bën atë të mos e konsiderojë tjetrin njeri, por send. Pastaj vijnë: varfëria, mungesa e arsimit dhe e edukimit, papunësia, rrjetet kriminale, konfliktet, terrorizmi, përdorimi kriminal i internetit, korrupsioni, i cili përfshin deri forcat e rendit dhe shtetin. Por, nënvizon Papa në pjesën e dytë të mesazhit, institucionet mund të bëjnë shumë. Mund të parandalojnë krimin e skllavërimit, mund të mbrojnë viktimat e të dënojnë përgjegjësit, përmes ligjeve të përshtatshme, por edhe përmes mekanizmave të kontrollit. Edhe Kisha Katolike ka përgjegjësinë e vet shoqërore, siç nënvizoi kardinali Turkson:
“Nga ana e saj, Kisha e Jezu Krishtit, që kumton Lajmin e Mirë të lirimit nga mëkati e nga çdo formë nënshtrimi, duhet të vazhdojë misionin e saj e ta shpallë Fjalën e Zotit në çdo rast, të përshtatshëm e të papërshtatshëm, duke denoncuar çdo formë skllavërimi e dhunimi të dinjitetit të njeriut, duke dëshmuar njëkohësisht brenda saj – edhe përmes gjesteve të vogla të përditshme të mikpritjes e të afërsisë – jetën e lirë, të përtërirë e të hapur për Transhendencën”.
Papa u drejtohet edhe konsumatorëve, duke u kërkuar të jenë të përgjegjshëm, sepse, siç ka shkruar Benedikti XVI në “Caritas in Veritate”, “të blesh është gjithnjë akt moral, përveçse ekonomik”(n. 66). Së fundi, kujton shën Jozefina Bakitën, që skllave, diti të lirohej nga skllavëria, duke dëshmuar dashurinë e krishterë për të afërmin. Në Konferencë, motër Gabriella Bottani, përgjegjëse e Rrjetit Ndërkombëtar të Rregulltareve kundër Trafikut të Njerëzve “Talitha Kum”, solli përvojën e motrave në luftën kundër këtij krimi, që e lëndon thellë njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.