2014-12-10 13:53:09

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 10 dhjetor


Të shërosh kujtesën
Kemi gjithnjë me vete, në skutat ku ruhen kujtimet, ngjarjet e kaluara, çastet e jetuara, takimet tronditëse, fillesat e mbara, fundet e padëshiruara. Janë ngjyra ngjyra. E sapo t’i thërrasim, dalin me vrap nga kujtesa, si të ishin duke ndodhur atë çast. Edhe pse ka kaluar shumë kohë.
E shumëkush çuditet e pyet veten: “Pse na vijnë në mend më shumë kujtimet e hidhura, sesa ëmblat? Ata, që na trazojnë, shumë më tepër, sesa ata, që na e fashisin zemrën e lodhur?
Por për fat të keq, nga kujtesa dalin gjithnjë më shpesh çastet e fatkeqësive tona, kohët, kur u morëm padrejtësisht nëpër këmbë, kur na u prek sedra e na u shkel ç’kishim më të çmuar. Gjithnjë nga këmbë të padenja.
Rizgjohet vazhdimisht e kaluara, rikthehet ankthi i jetuar qëkur, na pushton përsëri pasiguria, tronditja e çasteve, që më s’janë.
Të gjitha këto ndjesi burojnë më shumë nga marrëdhëniet me njerëzit, nga të cilët prisnim diçka të mirë, që i deshëm e vijojmë t’i dëshirojmë. Na vijnë në kujtesë herë me çapin e lehtë të dëshirës, e herë me hapin e rëndë të harresës. E kujtimi i tyre kthehet në ankth, në sëmundje.
Si mund ta shërojmë kujtesën? Duhet të harrojmë? Apo të shtiremi sikur s’ka ndodhur asgjë? Ndonëse na dhemb fort…
Shërimi nis gjithnjë nga sjellja e përzemërt e plot respekt ndaj së kaluarës sate: lëri kujtimet të vërshojnë, dëgjoji, mos i dëbo, me mendimin se të trazojnë. Duhet ta nderosh historinë tënde e edhe atë të shoqërisë, në gjirin e të cilës jetove. Shfrytëzoji ngarjet, që dalin nga kujtesa, për të ndërtuar mbi ta ditën e re. Atë që po pret.
Është ushtrim ky, që të mëson të dëgjosh, pa gjykuar e ta përdorësh të kaluarën tënde, si balsam për të shëruar plagët.
Pa harruar se ilaçi më i çmuar është Fjala e Zotit, që e shëron plotësisht çdo zemër të thyer nga e djeshmja, e mëson ta jetojë të sotmen e ta presë me gëzim të nesërmen. Fjala na kujton vlerën që kemi përpara Zotit e na bën ta ndjejmë syrin e Tij, gjithnjë mbi ne. Pavarësisht nga ç’jetuam e ç’do të jetojmë, për të jeta jonë është gjithnjë e çmuar.
E ky, gjykimi, që na shtyn ta shikojmë me mëshirë çdo skutë të jetës, ashtu si na zgjohet në kujtesë.

“Krishti për ne është gjithçka, pohon Shën Ambrozi. Nëse dëshiron të mjekosh plagët tua, ai është mjeku. Nëse shkrumbohesh nga ethet, ai është burimi i ujit të freskët. Nëse të shtyp nën këmbë mbrapshtia, ai është drejtësia. Nëse ke nevojë për ndihmë, ai është forca. Nëse druhesh nga vdekja, ai është jeta. Nëse dëshiron qiellin, ai është udha. Nëse ikën nga errësira, ai është drita. Në se kërkon ushqim, ai është buka e jetës”.
(Shën Ambrozi, De Virginitate)







All the contents on this site are copyrighted ©.