2014-12-10 15:30:29

Françesku: të vërtetat themelore të familjes nuk duhen vënë në diskutim


Të vërtetat themelore të familjes nuk mund të vihen në diskutim: kështu shkruan Papa Françesku në Letrën, drejtuar imzot Vinçenzo Paglia-s, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, me rastin e Takimit botëror të Familjeve, që do të mbahet në Filadelfia të SHBA-ve, më 22 deri më 27 shtator 2015, me temë: “Dashuria është misioni ynë. Familja është plotësisht e gjallë”. Në këtë ngjarje të madhe do të jetë i pranishëm edhe Françesku.

“Nuk mund ta cilësojmë familjen me koncepte ideologjike, pohon Papa në Letër, e as nuk mund të flasim për familje konservatore e familje progresiste. Familja është familje!”.
Vlerat e virtytet e familjes, të vërtetat e saj themelore, shkruan Françesku, janë pikat e forcës, mbi të cilat mbështetet bërthama familjare, e nuk mund të vihen në diskutim! Çka duhet diskutuar e duhet rishikuar, është stili ynë i jetës, gjithnjë më në rrezik të molepset nga mendësia e botës individualiste, hedoniste, konsumiste, e të gjejmë përsëri e gjithnjë rrugën kryesore për ta jetuar e për ta propozuar madhështinë e bukurinë e martesës dhe gëzimin që buron nga formimi i familjes e nga jeta në gjirin e saj.
Misioni i familjes së krishterë, sot, si dje, pohon Papa, është t’i kumtojë botës dashurinë e Hyjit, me forcën e Sakramentit martesor. Duke u nisur pikërisht nga ky kumtim, lind e krijohet një familje plot gjallëri, që e vë vatrën e dashurisë në qendrën e gjithë dinamizmit të saj njerëzor e shpirtëror. Nëse, siç thoshte Shën Ireneu “Gloria Dei vivens homo”(Adv.Haer., IV, 20,7), (Lumnia e Zotit është njeriu i gjallë), edhe familja që, me hirin e Zotit, e jeton plotësisht thirrjen e vet, është lumnia e Hyjit. Udhëzimet e Relacionit përfundimtar të Sinodit të fundit dhe ato, që i prijnë ecjes drejt Asamblesë së Zakonshme të tetorit 2015, nënvizon Papa, na ftojnë të vijojmë udhën e angazhimit për ta kumtuar Ungjillin e martesës e të familjes e për t’i vënë në jetë propozimet baritore, në kontekstin shoqëror e kulturor, në të cilin jetojmë. Sfidat e këtij konteksti na nxisin t’i zgjerojmë hapësirat e dashurisë besnike, që i hap rrugën jetës së re, bashkimit, mëshirës, ndarjes së përbashkët e solidaritetit. Françesku i porosit bashkëshortët, meshtarët dhe bashkësitë famullitare, ashtu si edhe lëvizjet e shoqatat, të udhëhiqen nga Fjala e Hyjit, mbi të cilën ngrihen themelet e ndërtesës së shenjtë të familjes, Kishë shtëpiake e familje e Zotit (cfr Conc. Ecum. Vat. II, Cost. dogm. sulla Chiesa Lumen gentium, 6; 11)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.