2014-12-10 16:57:00

10 dhjetor përvjetori i Deklaratës të të drejtave të njeriut


Përvjetori i Deklaratës të të drejtave të njeriut, Kisha kërkon që këto të drejta të njihen, të mbrohen, të promovohen
Dita e 10 dhjetorit na kujton datën e rëndësishme të 10 dhjetorit të vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi solemnisht Deklaratën Universale mbi të drejtat e njeriut, një nga aktet e para ndërkombëtare të kësaj asambleje.
Me këtë Deklaratë, Shtetet nënshkruese impenjoheshin për të mbrojtur të drejtat themelore të shtetasve. Kundër shkeljeve të mundshme do të ndërhynte një Komitet i themeluar me qëllim që të merrte masa ndeshkimore.
Në nenin e parë të Deklaratës Universale mbi të drejtat e njeriut shkruhej: të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë, me të njëjtin dinjitet e të njëjtat të drejta. Ata janë të pajisur me arsye e ndërgjegje, prandaj duhet të sillen njëri me tjetrin me frymën e vëllazërisë!
Më 10 dhjetor 1948, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e mbledhur në Paris, adoptoi Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, që përbën edhe sot një pikë shumë të lartë referimi për dialogun ndërkulturor mbi lirinë e të drejtat e njeriut. Dinjiteti i çdo njeriu garantohet me të vërtetë, vetëm atëherë kur të gjitha të drejtat themelore njihen, mbrohen, promovohen. Kisha ka ripohuar gjithnjë se të drejtat themelore janë universale, sepse të rrënjosura thellë në vetë natyrën e njeriut.Ligji natyror i shkruar nga Zoti në ndërgjegjen njerëzore, është emërues i përbashkët për të gjithë njerëzit, të gjithë popujt: është prijës universal, që mund ta njohin e ta kuptojnë të gjithë. Sipas Papa Benediktit XVI: Të drejtat e njeriut themelohen nga Hyji krijues, i cili u dhuroi të gjithëve arsyen e lirinë. Shkëputur nga kjo bazë e shëndoshë etike, të drejtat njerëzore mbeten të brishta, sepse pa themelin e tyre të fortë”.
Kujtimi i përvjetorit të Deklaratës është edhe rast i përshtatshëm për të verifikuar se në çfarë mase idealet, e pranuara nga shumica e bashkësisë së Kombeve më 1948, respektohen sot në ligjshmëritë e ndryshme kombëtare e, sidomos, në ndërgjegjet e individëve e të bashkësive. Nuk ka dyshim se është bërë një rrugë e gjatë, por mbetet akoma shumë për t’u bërë. E kjo, sepse miliona njerëzve, ende sot, u shkelet e drejta për të jetuar, u mungon liria dhe siguria; u dhunohet barazia e dinjiteti, ndërsa mure të reja ngrihen për shkak të racës, të fesë, të opinioneve politike e të bindjeve të tjera.Urojmë të vijojë me hov të ri impenjimi për t’i promovuar e për t’i përcaktuar më mirë të drejtat e njeriut si edhe përpjekja për të garantuar respektimin e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.