2014-12-08 14:32:51

Françesku: ta lemë Zotin të na kthejë në dhuratë për të tjerët


Ashtu si Maria, gjithë të krishterët të dinë t’i binden Zotit e vullnetit të Tij, duke u bërë dhuratë për të tjerët, mjete mikpritjeje, pajtimi e faljeje. Kjo ishte lutja, dëshira dhe urimi i Papës Françesku gjatë Engjëllit të Tënzot, në festën e Zojës së Papërlyer. Pasdite, sipas traditës, Ati i Shenjtë shkoi më parë në Bazilikën e Zojës së Madhe e pastaj në sheshin e Spanjës, ku lartohet shtatorja e së Papërlyerës, për të vendosur lule.RealAudioMP3
Gjatë Engjëllit të Tënzot, Papa u ndal në skenën e Lajmërimit të Zojës, kur engjëlli i Hyjit i dha lajmin më të jashtëzakonshëm, që ka dëgjuar ndonjëherë veshi i njeriut: do të bëhesh nëna e Birit të Zotit. E reagimi i vashës së zgjedhur është fanar për jetën e çdo të krishteri: le të bëhet me mua, ashtu si do Hyji. Maria, tha Papa, nuk është aspak pasive, por plotësisht e vetëdijshme:
“Edhe ne na kërkohet ta dëgjojmë Zotin, që na flet e ta pranojmë vullnetin e Tij; sipas logjikës ungjillore, asgjë nuk vepron më shumë e nuk është aq i frytshëm sa dëgjimi e pranimi i Fjalës së Hyjit! Që vjen nga Ungjilli, nga Bibla! Zoti na flet gjithmonë! Qëndrimi i Marisë së Nazaretit na tregon se duhet ‘të jesh’ një herë, e pastaj ‘të bësh’; se duhet ta lejosh Zotin ‘të veprojë’ për ‘të qenë’ vërtet ashtu si na do Ai. Është Ai, që bën në ne shumë mrekulli”.
Para se të mbante brenda saj Birin e Hyjit, shtati i Marisë u zu nga feja, pohoi Ati i Shenjtë. Por megjithëse i jashtëzakonshëm, ky mister i pranimit të Hirit – që në shën Marinë, për një privilegj unik, nuk hasi në pengesën e mëkatit – është i realizueshëm për të gjithë, theksoi Papa Françesku:
“Edhe ne kemi qenë gjithnjë ‘të bekuar’, pra të dashur, prandaj, ‘të zgjedhur para krijimit të botës që të jemi shenjtorë e të papërlyer’. Maria u mbrojt nga Hyji, ndërsa ne u shpëtuam falë Pagëzimit e fesë. Por, të gjithë, si ajo, ashtu edhe ne, [u shëlbuam] përmes Krishtit, ‘për nder të lavdisë së hirit të tij’, atij hiri me të cilin Zoja e Papërlyer u mbush përplot”.
Pra, Zoti dhuroi e Maria pranoi. Por menjëherë pas, Maria e dhuroi ç’mori, siç e dëshmoi, duke u nisur për të takuar kushërirën e saj, Elizabetën, edhe ajo, në pritje të një fëmije. Një fjalë mund ta përshkruajë këtë qëndrim, tha Papa, e ajo fjalë është “dhurimi falas”:
“Askush prej nesh nuk mund ta blejë shëlbimin! Shëlbimi është dhuratë falas e Zotit, dhuratë falas e Hyjit, që vjen në ne e banon në ne. Siç kemi marrë falas, ashtu edhe jemi të thirrur të japim falas… Në ç’mënyrë? Duke e lënë Shpirtin Shenjt të na shndërrojë në dhuratë për të tjerët. Shpirti na është dhuruar e ne, me forcën e Shpirtit, duhet të jemi dhuratë për të tjerët. Na shndërroftë në mjete mikpritjeje, mjete pajtimi e, mjete faljeje”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përshëndeti grupet e ndryshme të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u folur veçanërisht anëtarëve të Veprimit Katolik. Zoja e Papërlyer, uroi Ati i Shenjtë, e ktheftë gjithnjë e më shumë këtë organizatë kishtare në shkollë shenjtërie e shërbimi bujar për Kishën e për botën.
Si çdo 8 dhjetor, Papa përfundoi duke i ftuar të gjithë të shtrëngohen rreth tij në sheshin e Spanjës, ku pasdite shkoi për të nderuar shtatoren e Zojës së Papërlyer, pasi u lut në Bazilikën e shën Marisë së Madhe, kaq e dashur për Atin e Shenjtë:
“Të gjithëve ju uroj gëzuar festën e përgatitje të mbarë gjatë Kohës së Ardhjes, nën udhëheqjen e shën Marisë Virgjër. Mos harroni të luteni për mua”.








All the contents on this site are copyrighted ©.