2014-12-08 15:55:21

Françesku gazetës “La Nacion”: udha sinodale të shkojë përpara pa frikë


Nga Sinodi për familjen, tek reforma e Kuries, nga Ior-i, tek jeta e tij në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i dha gazetës argjentinase “La Nacion”, një intervistë, ku pasqyrohet veprimtaria e tij, në të gjitha fushat. Duke folur me gazetaren Elizabetta Piqué, Papa nënvizoi se procesi sinodal duhet të shkojë përpara “pa frikë”, në dëgjim të Shpirtit Shenjt.

“Sinodi nuk është parlament, por vend i hapur, i mbrojtur nga Shpirti Shenjt”. Françesku u përgjigjet gjerësisht, në intervistën dhënë “La Nacion”, pyetjeve mbi Sinodin e fundit, kushtuar familjes dhe vëren se është thjeshtëzim të thuash se etërit sinodalë janë të ndarë në dy sektorë, njëri kundër tjetrit. E, pohon me forcë, rëndësinë që ka të flasësh qartë e të dëgjosh me përvujtëri. Problemi i familjes, vijon, sot për sot është më i vështiri e, për shumëkënd, të martohesh është bërë fakt shoqëror. E kjo të shtyn të pyesësh, siç bëri edhe Benedikti XVI, sa martesa janë bërë në fe, në cilën fe e ç’vetëdije ka pasur ai, që u martua, gjë që, natyrisht, ka rëndësi të madhe për vlefshmërinë ose anulimin e martesës.
Përsa u përket shqetësimeve të disa mjediseve lidhur me qëndrimet, që u mbajtën në Sinod për bashkimet homoseksuale, Papa saktëson se në Takimin e madh nuk foli askush për martesën homoseksuale. U fol, ndërkaq, për familjet, që kanë një bir a një bijë homoseksuale e edhe për ndihmën që mund t’u jepet këtyre familjeve në këtë situatë paksi “të panjohur”. U fol, pra, për familjen si dhe për homoseksualët, në lidhje me familjarët e tyre, sepse është një realitet, që takohet në rrëfyestoret.
Lidhur me vërejtjen mbi “Raportin pas diskutimit”, Papa vërejti se ishte boca e parë, dokument relativ. E për druajtjen e disa mjediseve, nënvizoi se nuk mund të lexohet një lajm, një artikull, e të mos lexohet ajo, që vendosi Sinodi.
Çfarë ka më shumë rëndësi në Sinod - u pyet: “Raporti pas Sinodal, mesazhi përfundimtar dhe fjalimi i Papës. E njëkohësisht, tha Françesku, nuk duhet pasur frikë nga ecja përpara, të prirë nga Shpirti Shenjt”.
Në fjalimin përfundimtar, shtoi, thashë se nuk është prekur asnjë pikë nga Doktrina e Kishës mbi martesën. Në rastin e të divorcuarve të rimartuar, pohoi akoma, paraqiten shumë probleme baritore. E pohoi se nuk është zgjidhje nëse u jepet Kungimi. Nuk është zgjidhje: zgjidhje është bashkimi me Kishën. Vërtet se nuk janë të shkishëruar, vërejti, por nuk mund të jenë kumbarë Pagëzimi, nuk mund të lexojnë në Meshë, nuk mund të japin Kungimin e as mësime katekizmi, prandaj duket se faktikisht janë të shkishëruar. Prej këndej, vijoi, duhen hapur paksa portat.
Ndokush mendon se këta njerëz nuk japin dëshmi të mirë, vërejti Papa, ndërsa nuk bëhet zë fare kur një politikan i korruptuar bëhet nun. Atij iu lejoka, sepse ka vënë kurorë në Kishë! Atëhere, shtoi, duhen ndyshuar paksa gjërat, normat e vlerësimit. E atyre, që kanë folur për konfuzion, u përgjigjet: “Mbaj vazhdimisht fjalime, homeli, e ky është Magjisteri”. Kjo, shton, është ajo, që mendoj, e jo çka thonë gazetat se mendoj”. Evangelii Gaudium flet krejt qartë.
Françesku nuk ngurron të flasë edhe për reformën e Kuries, duke pohuar se është proces i ngadalshëm e se nuk mendon që do të mund të kryhet në vitin 2015. E, në vijim, shpjegon se një nga propozimet në diskutim, është koncentrimi i dikastereve të Laikëve, Familjes e të Drejtësisë e Paqes.
Përsa u përket të tjerave, Papa pohon se reforma, që e dëshiron më shumë, është ajo shpirtërore, reforma e zemrës, e shpjegon se për Krishtlindje po përgatit një fjalim për anëtarët e Kuries e një për punonjësit e Vatikanit me familjet e tyre, që do t’i takojë në Sallën e Palit VI. E thekson se nuk është aspak i shqetësuar për divergjencat e dala nga reforma e Kuries Romake dhe kujton se ky proces u vendos nga Kardinajtë në Kongregacionet e përgjithshme, që i paraprinë Konklavit.
Ior-i, shton, po funksionon mrekullisht mirë; e edhe reforma ekonomike, gjithashtu.
Flet, më pas, për rolin e tij si Papë, duke rrëfyer se, kur u zgjodh në Konklav, i tha vetes: “Jorge, mos ndrysho, vijo të jesh vetvetja, sepse të ndryshosh në moshën tënde, është qesharake”.
Përsa i përket shëndetit, pohon: kam shqetësimet e moshës, por jam në dorë të Zotit, e deri tani mund të punoj me ritëm pak a shumë të mirë. E, duke bërë shaka, shton: “Dhanti e shëndetshme, kjo, e mungesës së vetëdijes”.
Për shtegtimet e ardhshme apostolike, pohon se do të shkojë, ndoshta, në Argjentinë, në vitin 2016, ndërsa për 2015-tën ka në program të vizitojë tre vende, në Amerikën Latine e në Afrikë. Pikërisht për vendlindjen, Papa nënvizon se lidhur me zgjedhjet e ardhshme, nuk do të presë politikanë argjentinas, për të mos ndërhyrë, duke pohuar, më pas, se në këtë çast prishja e sistemit demokratik dhe prekja e Kushtetutës, do të ishin gabim për Argjentinën.Së fundi, duke folur mbi ndërrimin e Komandantit të Rojes Zvicerane, vendim për të cilin nuk munguan shpjegime të papërligjura, Papa shpreh nderimin e tij të thellë për Komandantin, të cilin e quan "njeri të shkëlqyer, katolik të mirë, me familje vërtet për t’u admiruar”, ndërsa për ndërrimin thotë se u bë thjesht për përtëritje normale. Mandati i Komandantit kishte përfunduar prej kohe. Tani ishte në vijim zgjatja “donec aliter provideatur”(deri në një vendim të dytë) e Papa e kishte njoftuar prej kohe, personalisht, se afati do të përfundonte me vitin në vijim.







All the contents on this site are copyrighted ©.