2014-12-07 14:11:42

Shenjtorët e javës 8-14 dhjetor


Hyjmë nesër në Javën II të Kohës së Ardhjes e këtë vit, ajo fillon me festën e bukur të Zojës së Papërlyer, kremtim që na hap portat e madhështisë së Zotit, që në të bëri mrekulli. Sipas traditës, Papa Françesku do të shkojë në këmbët e shtatores së Zojës, në sheshin e Spanjës në Romë, për t’u lutur e për të vendosur një kurorë me lule.
Të martën, më 9 dhjetor, Kisha Katolike përkujton shën Gjon Diegon, vegjent i Guadalupes, shën Sirin, shën Gorgonën. Shën Gjon Diego ishte indigjen, të cilit Zoti i kishte bërë dhuratë një fe të pastër si qelibar. Qe ai që kërkoi ngritjen e shenjtërores së Zojës së Guadalupes në kodrën e Tepejakut pranë Qytetit të Meksikos, pasi e pa në një nga vizionet e tij.
Më 10 dhjetor, ditën e mërkurë, kremtojmë festën liturgjike të Zojës së Loretos, të shën Eulalisë e të shën Mauros. Shenjtërorja e Loretos, në Itali, sipas një tradite të lashtë, ruan Shtëpinë nazaretase të shën Marisë. Banesa tokësore e Nënës së Krishtit përbëhej nga dy pjesë: nga një shpellë në shkëmb, që edhe sot nderohet në Bazilikën e Lajmërimit të Zojës, në Nazaret, dhe nga një shtëpi me mur, përbri saj. Sipas traditës, në vitin 1291, kur kryqtarët u përzunë përfundimisht nga Palestina, shtëpia me mure e Zojës u transportua nga engjëjt, së pari në Iliri (Kroacia e sotme) e pastaj, në territorin e Loretos, ku mbërriti më 12 dhjetor 1294.
Të enjten, Kisha nderon kujtimin e shën Damazit I, shën Daniel stilitit dhe shën Sabinit. Shën Damazi I ishte papë, i cili mblodhi shumë Sinode për mbrojtjen e fesë kundër skizmave dhe herezive. Qe ai që ngarkoi shën Jeronimin me detyrën e përkthimit në latinisht të Shkrimit Shenjt, si edhe nderoi varret e martirëve, duke i zbukuruar me vargje.
Të premten, më 12 dhjetor, është festa e Zojës së Guadalupes. Papa Françesku do të kremtojë një meshë në Vatikan. Gjithashtu, përkujtohen edhe shën Gjovana Françeska de Shantal e i Lumi Jakob Kapoçi.
Të shtunën, një shenjtore e dashur për kishën e Durrësit, që e ka për pajtore. Kremtohet shën Luçia, virgjër e martire, por edhe shën Otilia dhe i Lumi Gjon Marinoni. Derisa qe gjallë, shën Luçia mbajti ndezur llambën, që do t’i ndriçonte udhën për të shkuar në takimin me Dhëndërrin e vet, Krishtin, me të cilin kremtoi në Qiell, kur e martirizuan në Sirakuzë të Siçilisë, për shkak të besimit në Zotin.
Të dielën, III e Ardhjes, Kisha Katolike përkujton edhe shën Gjonin e Kryqit.







All the contents on this site are copyrighted ©.