2014-12-07 16:42:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: ngushëllimin e vërtetë nuk e jep pasuria, por Zoti


Shndërrimi i vërtetë nis, kur e lëmë Zotin të na ngushëllojë. Këtë nënvizoi sot Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në të Dielën e dytë të Ardhjes. Pohoi, më pas, me forcë se të jesh skllav i parasë e i pushtetit, domethënë të jesh i trishtuar. Kështu të bën paraja, theksoi Papa që, në vijim, u përsëriti besimtarëve, të paktën 50 mijë vetë sot në Sheshin e Shën Pjetrit, ftesën ta mbajnë gjithnjë Ungjillin në xhep, për ta lexuar ditë për ditë.RealAudioMP3

“Ngushëllojeni popullin tim!”. Papa Françesku u kërkoi shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, t’ua përcjellin të gjithëve ftesën e Izaisë për këtë Kohë të Ardhjes dhe nënvizoi se në Leximin e parë ndjehet fuqimisht gëzimi i njeriut, që e lë Hyjin ta ngushëllojë. Izaia profet, shpjegoi Ati i Shenjtë, i jep popullit në mërgim kumtin gazmor të çlirimit, sepse koha e vuajtjes ka marrë fund e tani populli i Izraelit mund të rikthehet në atdhe. Trishtimi e frika, vërejti Françesku, mund t’i lëshojnë vendin gëzimit, sepse Zoti vetë do t’i prijë popullit të vet e do ta bëjë këtë me kujdesin e dhimbsurinë e bariut, që i prin grigjës.
Edhe sot, kujtoi, mesazhi i shpresës, që vijon të na përcjellë Izaia, është se Zoti ngushëllon, por edhe se nuk mund të jemi kasnecë të këtij ngushëllimi, po të mos e provojmë të parët gëzimin e ngushëllimit e të dashurisë së Tij:
“Kjo ndodh posaçërisht kur dëgjojmë fjalën e Zotit, Ungjillin, të cilin duhet ta mbajmë në xhep: mos e harroni këtë, eh? Ungjilli në xhep a në çantë, për ta lexuar vazhdimisht. E kjo na ngushëllon: kur rrimë në lutje të heshtur në praninë e Tij, kur e takojmë në Eukaristi ose në Sakramentin e Faljes. E gjithë kjo na ngushëllon”.
Sot, vijoi, ndjehet nevoja për njerëz, të cilët e dëshmojnë mëshirën e dhimbsurinë e Zotit, që i shkund të nënshtruarit, i forcon të lëkundurit, u ndez të gjithëve zjarrin e shpresës. E kjo, edhe sepse në shumë situata kërkohet dëshmia jonë ngushëlluese:
Duke qenë njerëz plot gëzim, ju ngushëlloni! Mendoj për ata, që janë të shtypur nën peshën e vuajtjeve, të padrejtësive, të nëpërkëmbjes; për ata, që janë skllevër të parasë, të pushtetit, të suksesit, të mendësisë së botës. Të gjorët! Kanë ngushëllime të trukuara, e jo ngushëllimin e vërtetë të Hyjit! Të gjithë jemi të thirrur t’i ngushëllojmë vëllezërit tanë, duke dëshmuar se vetëm Zoti mund t’i zhdukë shkaqet e dramave ekzistenciale e shpirtërore. Ai mund ta bëjë! Është i gjithëpushtetshëm”.
Mesazhi i Izaisë, që jehon fuqishëm në këtë të Diel të dytë të Ardhjes, vijoi Françesku, është balsam mbi plagët tona e nxitje për t’ia përgatitur plot zell udhën Zotit. Fjalë, të pasuara nga një reflektim:“Është e çuditshme, por shumë herë kemi frikë nga ngushëllimi. Madje ndjehemi më të sigurt në trishtim e në pikëllim. A e dini pse? Sepse në trishtim e ndjejmë veten gati-gati protagonistë. Ndërsa në ngushëllim, protagonist është Shpirti Shenjt! Është ai, që ngushëllon; ai, që na jep guxim të dalim nga vetvetja. Është ai, që na çon tek burimi i çdo ngushëllimi, domethënë tek Ati. E ky është shndërrimi, kjo është kthesa. Ju lutem, lëreni Zotin t’ju ngushëllojë. Lëreni veten të ngushëlloheni nga Zoti!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.