2014-12-06 17:37:56

Irak, Papa të krishterëve të persekutuar: dëshiroj të jem atje, me ju!


Bota të bashkëpunojë në mënyrë të harmonishme për t’i dhënë fund dhunës çnjerëzore, që po bën kërdi mbi pakicat e krishtera, e jo vetëm në Lindjen e Mesme. Është videomesazhi i solidaritetit, që Papa Françesku ia besoi kryeipeshkvit të Lionit, kardinalit Philipe Barbarin, i cili ishte këto ditë në Erbil, në Irak, për një vizitë prej 48 orësh, gjatë së cilës vërejti, në vend, mënyrën si po organizohet shpërndarja e ndihmave humanitare, ardhur nga të katër anët.
Duke u takuar me të krishterët irakianë, prelati i siguroi për afërsinë në lutje të Kishës evropiane. E dje, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, në të gjitha Kishat katolike të botës iu lartua Zotit lutja për vëllezërit e motrat e Irakut dhe u lexua mesazhi i solidaritetit të Papës dhe të Kishës universale.


Të dëbuar, të mbytur egërsisht, në njëmijë mënyra, të përdhunuar, me shtëpi të rrënuara e Kisha të djegura. Kështu janë sot të krishterët irakianë e të zonave të tjera të Lindjes së Mesme, të urryer e të persekutuar nga ai, që Françesku e quan “grup ekstremist e fundamentalist”. E pikërisht Papa e rrethon këtë bashkësi heronjsh të panjohur të fesë me delikatesën dhe emocionin, që ngjall në shpirtin e atit, biri, viktimë e dhunës. E Papa e bën këtë nga larg, vetëm e vetëm sepse nuk mund ta bëjë ndryshe, por thellësia e fjalëve të tij, dhimbja e sinqertë, që ndjehet fort në mënyrën si i shqipton, përshkon cipën e videos e zhduk, për një çast, atë distancë, që Françesku do të dëshironte të mos ekzistonte:
“Edhe unë dëshiroj të jem atje, por me që nuk mund të shtegtoj, po e bëj kështu… por mos harroni, jam tepër, tepër pranë jush në këto çaste prove. E kam thënë, në kthim nga shtegtimi im në Turqi: të krishterët janë dëbuar nga Lindja e Mesme, me vuajtje. Ju falënderoj për dëshminë, që po jepni; ka shumë dhimbje në dëshminë tuaj. Faleminderit! Shumë faleminderit!”.
Duket sikur atje nuk duan të ketë të krishterë, por ju vijoni të jepni dëshmi për Krishtin, u thotë Papa besimtarëve lindorë, pa harruar për asnjë çast plagët, dhimbjen e nënave me fëmijë për gjiri, të pleqve e të shpërngulurve, vuajtjet e atyre, që janë viktima të të gjitha llojeve të dhunës të një fushate të armatosur kundër njerëzve të pambrojtur e cila, thekson Papa Françesku, shkakton viktima jo vetëm ndërmjet të krishterëve, por edhe ndërmjet pakicave të yazidëve:
Të krishterë e yazidë dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre, detyrohen të braktisin çdo gjë, për të shpëtuar jetën e për të mos mohuar fenë. Dhuna ka sulmuar edhe ndërtesat kishtare, monumentet, simbolet fetare e pasuritë kulturore, gati-gati si të donte të shlyente çdo gjurmë, çdo kujtesë të tjetrit. Si krerë fetarë, e kemi për detyrë t’i denoncojmë të gjitha shkeljet e dinjitetit dhe të të drejtave njerëzore”.
E tha edhe kur ishte në Turqi, Françesku, se kush i shërben Zotit, duhet ta dënojë atë, që mbyt njerëz. E tani e përsëriti, duke gjetur një figurë të njohur, dramatikisht prekëse, për guximin e korpit të Krishtit, të sulmuar, të bërë copë e grimë, e megjithatë, të panënshtruar. Është figura, që e gjejmë në shkrimet e Shën Terezinës, e cila e quan Kishën e persekutuar “kallam, që përkulet nga era e shtrëngatës, por nuk thyhet kurrë”:
“Ju jeni kallamat e Hyjit sot! Kallamat, që përkulen deri në tokë nga era e tërbuar, por ngrihen përsëri! Dua t’ju falënderoj rishtas. E t’i lutem Shpirtit Shenjt, që i bën të reja të gjitha sendet, t’i japë secilit nga ju forcë e qëndresë. Është dhuratë e Shpirtit Shenjt”.
Në këtë pikë Françesku i kërkon ndihmë botës, duke u bërë zë i një populli, i cili e ka zërin tepër të ligshtë, që të mund ta dëgjojnë, ta kenë parasysh, ta ndihmojnë, ta shpëtojnë:
Kërkoj me forcë, ashtu siç bëra në Turqi, më shumë përkim ndërkombëtar për t’i dhënë fund konflikteve, që gjakosin tokat tuaja të zanafillës, për t’iu kundërvënë shkaqeve të tjera, që i shtyjnë njerëzit të ikin nga atmja e për të krijuar kushtet, që të mbeten aty, ose të rikthehen. Uroj që ju të ktheheni, që ju të mund të riktheheni!”.Posaçërisht më 8 dhjetor, ditë e Zojës së Zënë pa Mëkat, sipas premtimit të Françeskut, lutja e të krishterëve të botës u lartua më e fuqishme për vëllezërit e persekutuar. “Rezistenca juaj është martirizim, vesë që pllenon”, nënvizon Papa, me keqardhje që i duhet të përfundojë. E fjalët e fundit janë bekim: “Zoti ju bekoftë e Zoja e Bekuar ju ruajtë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.