2014-12-05 16:15:03

Papa Françesku: kurrë të mos harrohet vuajtja e skllevërve modernë


Papa Françesku i dërgon sot një mesazh të shkurtër Konferencës Ndërkombëtare të Grupit të Shën Martës për luftën kundër trafikut të njerëzve, që po mbahet në Londër sot e nesër. Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen për vendosmërinë në çrrënjosjen e kësaj së keqeje dhe për angazhimin e pjesëmarrësve në punën e nisur në konferencën e Vatikanit, në prill të këtij viti.
“Përpjekjet tuaja për të promovuar dialogun mbi mjetet juridike kundër trafikut të njerëzve, në favor të ndihmës thelbësore për ata, që pësojnë këtë lloj skllavërie – shkruan Papa – janë veçanërisht të rëndësishme për të nxjerrë në pah natyrën e fshehtë të këtij krimi. Nuk duhet ta harrojmë kurrë e as ta injorojmë vuajtjen e shumë burrave, grave e fëmijëve, dinjiteti njerëzor i të cilëve dhunohet përmes këtij shfrytëzimi”.
Ati i Shenjtë falenderon ministrin e brendshëm britanik, komisarin e policisë dhe Konferencën Ipeshkvnore vendase për organizimin e takimit, duke ripohuar angazhimin e Kishës Katolike në luftën kundër trafikut të njerëzve dhe në mbështetjen e viktimave.







All the contents on this site are copyrighted ©.