2014-12-05 15:15:23

Konferenca “Islami dhe terrorizmi”: “jo” dhunës në emër të fesë


Përfundoi dje pasdite me një deklaratë zyrtare 10-pikëshe, konferenca mbi Islamin e terrorizmin, e cila mblodhi në Univeristetin e Al Azharit – qendra më e rëndësishme e studimeve për myslimanët sunitë – krerë të lëvizjeve islamike botërore dhe përfaqësues të disa feve të tjera. Të fuqishme, pohimet kundër persekutimit të të krishterëve. Aktet terroriste quhen krime kundër njerëzimit, të dënueshme nga Islami. Në pikën e dytë pohohet se myslimanët e të krishterët e Lindjes janë vëllezër e kanë jetuar bashkë për shekuj me radhë. Pastaj, në të tretën, ikja e të krishterëve nga vendet islamike shihet si pasojë e krimeve terroriste, prandaj bëhet thirrje për t’i ndihmuar besimtarët e krishterë. Të fuqishme, fjalët kundër sektarizmit dhe propagandës ekstremiste: dokumenti i Al-Azharit flet për ideologjizimin e rinisë dhe propozon formimin e ekspertëve, në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve të të rinjve. Dokumenti i paraqitur dje në Al-Azhar mbetet një precedent i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit islamik.
Në konferencë morën pjesë edhe personalitete të krishtera, si ipeshkvi kopto-katolik i Gizës, i cili e quajti ngjarjen, epokale. Është hera e parë që një institucion mysliman, me ndikim kaq të madh, thotë qartë se teoritë e përdorura nga terroristët përfaqësojnë një perversion në krahasim me Islamin e vërtetë. Nga ana e tij, kryeipeshkvi maronit i Bejrutit kërkoi që të krishterët të respektohen së paku ashtu siç i pati respektuar profeti Muhamet. Këtë koncept e shpjegon më mirë, në mikrofonin tonë, misionari kombonian atë Giuseppse Scattolin, anëtar i Akademisë së gjuhës arabe të Egjiptit, i cili mori pjesë në konferencë:RealAudioMP3
Kjo e moderacionit dhe e tolerancës nuk është gjë e re. Islami është paraqitur gjithmonë e është justifikuar në një farë mënyre, duke dhënë si shembull konkret faktin se të krishterët dhe hebrenjtë kanë vendin e tyre, të njohur juridikisht nga shoqëria islamike, prandaj, në parim, nuk persekutohen e as eliminohen. Natyrisht, grupe të tjera, si paganët, ateistët, jo besimtarët e me radhë, nuk kanë të drejtë të ekzistojnë zyrtarisht, në një shoqëri islamike. Konferenca u tregua diplomatike, pasi propozoi një lloj ideali bashkëjetese paqësore ndërmjet myslimanëve e të krishterëve.
Nga lind ekstremizmi në Islam e pse ka kaq sukses?
Kjo është çështje e vjetër, që diskutohet e ridiskutohet pa fund. Dhuna, që ekziston realisht, a e ka bazën në mesazhin e vetë Islamit, apo është element i hyrë në Islam gjatë historisë, për shkak të rrethanave historike? Nëse është kështu, Islami mund ta hedhë poshtë, ashtu siç ka bërë dhe bën krishterimi. Mendoj se është e nevojshme tashmë një lloj autokritike historike nga ana e myslimanëve. Siç bëri Papa Gjon Pali II, gjatë Jubileut, kur kërkoi falje për dhunën e të krishterëve, ashtu edhe myslimanët duhet të mbajnë qëndrim ndaj dhunës së ushtruar në emër të fesë së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.