2014-12-05 14:51:02

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 5 dhjetor


Jeta ime nuk është rastësi
Hapat, që po bëj drejt vendit të takimit, janë ditët e mia.
Po të ndalesha për të rregulluar ritmin e tyre, për të parë plagët e shkaktuara nga lëvizja, për të fashitur kapitjen e pakënaqësinë, që lind nga lodhja, do ta ngadalësoja ecjen. E do të kërkoja, pa dyshim, mbështetje, ngushëllim, ndihmë.
Kjo është njëra anë e kësaj udhe. Ndërsa ana tjetër, është se hapat e mi nuk janë rastësi, shprehje e një nevoje fatale për të ecur, detyrim i pashmangshëm.
Jeta jonë nuk është ngjarje pa emër nëse, edhe për një çast të vetëm, e lëmë të na hyjë në zemër syri i Zotit, që është dashuri.
Më ngushëllon mendimi se askush nuk është aq shpirtvarfër, sa të mos mendojë, së paku për një çast, se Dikush ka dashur, që ai të vinte në jetë. Të jetonte. Edhe në vetmi. Edhe në një jetë, në dukje, fare të padobishme.
Askush nuk është aq i mjerë, sa të mos arrijë ta zgjojë e ta shijojë për një çast atë rreze drite, që e siguron se Dikush e ka krijuar.
E kjo është zanafilla e besimit.
Ky mendim nuk duhet të vdesë pa lindur mirë. E, që të mos harrohet, duhet bërë kumt, këngë, duhet përsëritur, duhet ndarë edhe me të tjerët, me shumë e shumë të tjerë, që ecin përkrah me ty, në ditët tua. Drita nuk duhet fshehur kurrë. Në se e mbaj ndezur, ndriçoj hapat mi e të të tjerëve, që më ecin përkrah.
Sot po e lë të më pushtojë mendimi, që bëhet lutje: “Dikush më deshi. Dikush më pret andej kufijve të botës njerëzore. Dikush më zbulon besëlidhjen mes jetës e vdekjes. Më pëshpërit lehtë se nuk jam zog, që rreh flatrat vetëm një verë”.

2. O Zot, Hyji ynë,
sa i madh është emri yt mbi tërë tokën,
edhe mbi rrathë të qiellit, ku ti madhërinë lartove.

3. Me gojë fëmijësh e foshnjesh përgatite
lavdinë kundër armiqsh e kundërshtarësh,
e gojën përgjithnjë ia mbylle dashakeqit..

4. Kur unë kundroj qiejtë, vepër e duarve tua,
kur sodis hënë e yje, që ngulur i ke në qiell,

5. mendoj: “Njeriu ç’ është që ty në mend të bjerë
e i biri i njeriut, që ti ta kesh në kujdes?

6. Ti, pra, e krijove gati si të ishte engjëll,
me nder e lumturi e kurorëzove.

7. Pushtet i dhe mbi vepra të duarve të tua,
gjithçka atij ia vure ti nën këmbë.

8. Grigjët ia lëshove në dorë e gjedhet,
të gjitha kafshët e fushës ia dhurove,

9. të gjithë zogjt e qiellit e peshqit e detit,
që enden ujërash, atij ti ia nënshtrove.

10. O Zot, Zoti ynë, sa i madhërishëm
është përmbi faqe të tokës mbarë, ky emri yt! Psalmi 8







All the contents on this site are copyrighted ©.