2014-12-04 14:40:38

Papa: shenjtorët e panjohur, të përditshëm, na japin shpresë


Ka shumë shenjtorë të panjohur, burra e gra, etër e nëna familjesh, të sëmurë, meshtarë, që zbatojnë në praktikë, çdo ditë, dashurinë e Jezusit e kjo na jep shpresë: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Është vërtet i krishterë ai, që e zbaton në praktikë Fjalën e Zotit, nuk mjafton të thuash se beson. Duke komentuar Ungjillin, që flet për shtëpinë e ndërtuar mbi shkëmb, ose mbi rërë, Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të mos jenë të krishterë sa për sy e faqe, të krishterë në dukje, sepse sapo fillon të bjerë pak shi, grimi mbi fytyrë zhduket. Nuk mjafton të jesh anëtar i një familjeje shumë katolike, ose i ndonjë shoqate bamirëse, nëse nuk ndiqet vullneti i Hyjit. Të krishterët në dukje ulin armët që në tundimet e para, sepse e kanë ndërtuar shtëpinë mbi rërë. Ata që e ndërtojnë shtëpinë mbi shkëmb, mbi Krishtin, nënvizoi Papa, janë shenjtorët e përditshëm, që nuk njihen zyrtarisht nga Kisha, por ashtu si të kanonizuarit, vënë në jetë mësimet e Jezusit, duke dëshmuar dashurinë e Zotit:
“Të mendojmë për më të vegjlit, eh? Për të sëmurët, që i ofrojnë vuajtjet për Kishën, për të tjerët. Të mendojmë për sa e sa të moshuar të vetëm, që luten e ofrojnë. Të mendojmë për sa e sa nëna e baballarë familjesh, që ecin përpara me shumë mund, që edukojnë fëmijët, angazhohen me punën e përditshme, me problemet, por gjithnjë me shpresë në Jezusin, pa u mburrur, duke bërë ç’munden”.
Janë shenjtorët e jetës së përditshme, theksoi Papa:
“Të mendojmë për sa e sa meshtarë, që nuk duken, por punojnë në famullitë e tyre me shumë dashuri: katekizmi për fëmijët, kujdesi për të moshuarit, për të sëmurët, përgatitja për çiftet e reja… E çdo ditë e njëjta gjë, e njëjta gjë, gjithmonë. Nuk mërziten, sepse në themelet e shtëpisë së tyre është shkëmbi. Është Jezusi, kjo i jep shenjtëri Kishës, kjo i jep shpresë!”
Të gjithë jemi mëkatarë, vazhdoi Papa Françesku. Edhe këta të krishterë, madje bëjnë edhe mëkate të rënda, por pendohen e ndërrojnë rrugë. Nuk e ngatërrojnë mëkatin me virtytin, prandaj e kanë ndërtuar shtëpinë mbi shkëmb. Sot jemi, nesër s’jemi, citoi Papa shën Bernardin. “Mendo o njeri, ç’do të bëhesh: ushqim për krimbat”, tha Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar atyre, që nuk përpiqen për të fituar jetën e amshuar:
“Në këtë kohë përgatitjeje për Krishtlindjen, t’i lutemi Zotit që t’i kemi themelet e forta në shkëmbin, që është Krishti; shpresa jonë është në Të. Ne jemi të gjithë mëkatarë, jemi të dobët, por nëse shpresojmë në Të, mund të ecim përpara. Ky është gëzimi i të krishterit: ta dijë se në Krishtin ka shpresë, ka falje, ka paqe, ka gëzim. E të mos shpresojmë në gjëra që, sot janë, nesër s’janë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.