2014-12-04 15:35:52

Papa për anëtarët e FOCSIV: të varfërit të mos kthehen në rast për përfitime


Duhet të luftojmë kundër shkaqeve strukturore të varfërisë. Kjo ishte thirrja e Papës Françesku për anëtarët e FOCSIV (Federata e Organizmave të Vullnetariatit me frymëzim të krishterë). Të varfërit, u tha atyre, nuk mund të kthehen në rast për fitime. E për këtë, Ati i Shenjtë citoi don Tonino Bello-n, i cili, e përshkruante figurativisht Kishën, si amvisë, që vë përparësen dhe përkulet për t’u shërbyer vëllezërve në vështirësi, në stilin e Samaritanit të Mirë, pa interes:RealAudioMP3
“Ka kaq shumë nevojë të dëshmojmë vlerën e dhurimit pa interes: të varfërit nuk mund të bëhen rast për fitime! Sot, varfëria e ka ndryshuar fytyrën – kemi varfëri të reja – disa nga të varfërit presin tjetër: duan të jenë protagonistë, organizohen e sidomos, zbatojnë në praktikë atë solidaritet, që ekziston ndërmjet të vuajturve, ndër të fundmit”.
Ju, u tha Papa Françesku vullnetarëve të krishterë, duhet të jeni mjeti në shërbim të protagonizmit të të varfërve. Solidaritet me të varfërit do të thotë të mendojmë për të mirën e të gjithëve:
“Do të thotë edhe të luftojmë kundër shkaqeve strukturore të varfërisë, si: pabarazia, mungesa e punës dhe e shtëpisë, mohimi i të drejtave shoqërore e ato të punës. Solidariteti është një mënyrë për ta bërë historinë bashkë me të varfërit, duke u larguar nga vepra, në dukje altruiste, por që e nxisin tjetrin drejt pasivitetit”.
Ndër shkaqet kryesore të varfërisë, Ati i Shenjtë përmendi sistemin ekonomik, që plaçkit natyrën. Gjithësia e krijuar prej Zotit nuk është pronë, që mund ta përdorim si të duam e as pronë e pak vetëve, theksoi Papa. Krijimi është dhuratë e mrekullueshme e Zotit e për të duhet të kujdesemi, duke e përdorur me respekt për të mirën e të gjithëve. Shkaku i dytë, që vuri në dukje Ati i Shenjtë, janë luftrat. Në këtë fushë, u kërkoi organizatave të krishtera të bëhen ura ndërmjet popujve, aty ku shkallëzimi i dhunës duket se nuk i lë vend arsyes. Pastaj, foli për refugjatët, të detyruar të jetojnë në kampe:
“Këta njerëz në botë, ikin nga tmerret e luftës! Sa persekutohen për shkak të fesë, detyrohen të braktisin shtëpitë, vendet e kultit, tokat, të afërmit! Sa jetë të prishura! Sa vuajtje, sa shkatërrim! Para gjithë kësaj, dishepulli i Krishtit nuk tërhiqet, nuk e kthen kokën nga ana tjetër, por përpiqet ta ndihmojë këtë njerëzim plot dhimbje, me afërsi e mikpritje ungjillore”.
Vetë Papa Françesku pati fjalë afërsie për emigrantët dhe refugjatët, që lënë pas kushte të rënda jetese dhe rreziqe të çdo lloji. Është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithëve - institucioneve, organizatave jo qeveritare, bashkësive kishtare – për të promovuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe kulturave të ndryshme:
“Lëvizjet e emigracionit kërkojnë mënyra të përshtatshme mikpritjeje, që nuk i lënë emigrantët në mëshirën e detit e të bandave të trafikantëve pa skrupull. Njëkohësisht, është i nevojshëm bashkëpunimi konkret ndërmjet shteteve për rregullimin dhe administrimin e frytshëm të këtyre fenomeneve”.
Të jeni dëshmitarë të dashurisë, u tha Papa Françesku vullnetarëve të FOCSIV, veprimtarë të paqes, protagonistë të drejtësisë e të solidaritetit, duke e ndjekur me gëzim udhën e besnikërisë së njeriut ndaj Zotit e duke vënë gjithnjë Jezusin, në qendër të jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.