2014-12-03 15:08:23

Papa Françesku: në Turqi shtegtova për paqen e dialogun ekumenik


Ishte shtegtim nën shenjën e pajtimit, të dialogut ekumenik e të afërsisë me refugjatët. Françesku shfrytëzoi rastin e audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit për të rikujtuar vizitën triditore në Turqi. Papa i ftoi të gjithë besimtarët të luten për paqen.RealAudioMP3
Reshej shi mbi Sheshin e Shën Pjetrit por, pavarësisht nga koha e zymtë e fundvjeshtës, edhe këtë herë mijëra njerëz u mblodhën për të marrë pjesë në takimin e së mërkurës me Françeskun. Gjest ky, që Papa e komentoi me një batutë gazmore:
“Të dashur vëllezër e motra, mirëdita! Edhe pse dita nuk duket aq e mirë, madje e keqe… Po ju jeni guximtarë. Ditë e keqe, fytyra të mira, eh? Të shkojmë, pra, përpara”.
Në katekizëm, Françesku rikujtoi disa nga çastet më të rëndësishme të shtegtimit të tij në Turqi. E, së pari, i falënderoi përsëri të gjithë ata, që punuan për suksesin e vizitës, duke nisur nga institucionet e nga konferenca ipeshkvnore, për të përfunduar tek njerëzit e thjeshtë, që e ndoqën kudo plot entuziazëm e simpati. Kujtoi edhe shtegtimet e paraardhësve të tij në Turqi, vizitën e Palit VI, të Gjon Palit II e të Benediktit XVI, pa harruar edhe rolin e rëndësishëm që luajti Gjoni XXIII, kur ishte delegat papnor në këtë vend. Është fjala, vërejti Papa, për një tokë të dashur nga gjithë të krishterët, sepse këtu lindi Shën Pali, po këtu u mblodhën shtatë Koncile e gjithnjë këtu, pranë Efezit, banoi Maria.
Tradita, shtoi duke folur jashtë tekstit zyrtar, vijon të na kujtojë se pikërisht këtu u vendos Zoja e Bekuar pas ardhjes së Shpirtit Shenjt.
Françesku vuri në dukje, më pas, se me autoritetet e vendit, me shumicë myslimane, por me Kushtetutë, që garanton laicitetin e shtetit, foli për temën e dhunës:
Është pikërisht harrimi i Zotit, e jo lavdërimi i Tij, që lind dhunën. Prandaj e vura fort theksin mbi rëndësinë që të krishterë e myslimanë të angazhohen së bashku për solidaritetin, për paqen e drejtësinë, duke pohuar se çdo Shtet duhet t’u sigurojë qytetarëve dhe bashkësive fetare lirinë reale të kultit”.
Përshkroi edhe vizitën në disa vende-simbol të konfesioneve të ndryshme fetare, të pranishme në Turqi. E këtu vuri theksin mbi Lutjen ekumenike drejtuar Shpirtit Shenjt në katedralen e Stambollit:
“Populli i Hyjit, në pasurinë e traditave e të emërtimeve të ndryshme fetare, është i thirrur ta lërë Shpirtin Shenjt t’i prijë, duke ia hapur gjithnjë zemrën, me nënshtrim e bindje. Në udhën tonë e në dialogun ekumenik, e edhe në bashkimin tonë, të Kishës sonë katolike, Ai që bën gjithçka, është Shpirti Shenjt. Ne na takon ta lëmë të bëjë, ta mirëpresim e të shkojmë pas frymëzimit të Tij”.
E pikërisht Shpirti Shenjt ishte frymëzues i takimit të Françeskut me Bartolomeun, në festën e Shën Andreut. Me Bartolomeun I, tha Papa, përsërita angazhimin reciprok për të vijuar ecjen në rrugën drejt rivendosjes së bashkimit të plotë ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Të dy, shtoi, nënshkruam Deklaratën e përbashkët, etapë e re e kësaj udhe. E kujtoi, më pas, bekimin historik e prekës, që i dhanë njëri-tjetrit Patriku i Kostandinopojës e Ipeshkvi i Romës. Pastaj, kujtimi i takimit të fundit në Turqi, të cilin e quajti ‘të bukur e të dhimbshëm njëherësh”: ai me refugjatët e rinj, miq të salezianëve:
“Kishte shumë rëndësi për mua të takohesha me disa refugjatë nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme, si për t’u shprehur afërsinë time e të Kishës, ashtu edhe për të nënvizuar vlerën e mikpritjes, në të cilën po angazhohet shumë edhe Turqia. E falënderoj, prandaj, për këtë mikpritje të refugjatëve të shumtë; e falënderoj nga zemra, edhe salezianët e Stambollit”.
Françesku u kërkoi besimtarëve të luten për të gjithë refugjatët e të shpërngulurit, me ndjet që të zhduken shkaqet e kësaj plage të dhimbshme. E kërkoi lutje të posaçme, sidomos, për paqen në rajon:
Të dashur vëllezër e motra, Hyji i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm vijoftë ta mbrojë popullin turk, qeveritarët e tij e përfaqësuesit e feve të ndryshme. Ndërtofshin së bashku një ardhmëri me paqe, kështu që Turqia të përfaqësojë një vend me bashkëjetesë paqësore ndërmjet feve e kulturave të ndryshme”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve të gjuhës arabe, Papa i ftoi të gjithë ata, që jetojnë në Lindjen e Mesme, të shikojnë përtej ndryshimeve, që na ndajnë ende, e t’i lypin Zotit dhuratën e bashkimit të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.