2014-12-03 12:44:05

Komisioni Teologjik. Myler: të mos ndahet teoria nga praktika


Që nga e hëna vijon në Vatikan, asambleja e përgjithshme e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar. Platformën mbi të cilën po punon organizmi e paraqiti prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Gerhard Ludving Myler, i cili është edhe në krye të vetë Komisionit.
“Teologjia – tha prelati – nis, lind e bëhet në liturgji, në adhurimin e misterit të Zotit e në kundrimin e Fjalës së mishëruar. Ne teologët i vemë inteligjencën, aftësitë e punën tonë në dispozicion të mistereve të fesë çdo ditë, por para së gjithash, kemi nevojë për Shpirtin Shenjt, për inteligjencën hyjnore, që i bën të qëndrueshme kërkimet tona të mjera njerëzore. Në liturgji e kuptojmë më mirë sa themelore është teologjia për kundrimin e Zotit të dashurisë”.
Teologët, vijoi kardinali Myler, burra e gra, janë njerëz, që së bashku me Shën Pjetrin, duhet të jenë gjithnjë gati “t’u japin përgjigje atyre, që pyesin për arsyet e shpresës”(1 Pjt 3,15) së të krishterëve. Teologjia shqyrton me anë të arsyes e fesë, harmoninë dhe koherencën e brendshme të të vërtetave të besimit fetar, që e kanë bazën në zbulesën e Zotit, njëni e trini. Misteri i pashqyrtueshëm i Hyjit, në ekonominë e shëlbimit e përmes kësaj ekonomie të Fjalës së mishëruar, i ofrohet edhe inteligjencës sonë. Teologët janë rojtarët dhe nxitësit e kësaj inteligjence të fesë.
“Teologjia – vazhdoi prelati – nuk është kurrë spekullim i pastër, ose një teori e shkëputur nga jeta e besimtarëve. Në fakt, teologjia e vërtetë nuk e ka ndarë kurrë inteligjencën e fesë nga praktika e jetuar e saj”. Kjo do të ishte një lloj ‘herezie’, pasi do ta ndante misterin e Fjalës së përjetshme të Atit, që u mishërua në Krishtin. Jezusi, që mund të konsiderohet teologu i parë i Shkrimit Shenjt, na ka thënë “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta”. Pra, nuk ka të vërtetë, pa jetë e anasjelltas. Nëpër Krishtin është rruga për ta kuptuar më mirë të vërtetën, që na u dha, për t’u shndërruar në jetën tonë. Punimet e Komisionit vazhdojnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.