2014-12-03 17:33:00

Koha e Ardhjes në Kosovë


Si në mbarë botën edhe Kisha Katolike në Kosovë, ka kremtuar të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, duke filluar kështu me sa më shumë shpresë edhe një vit tjetër liturgjik. Për katër javë rresht nga kisha e gjallë dhe besimtarët kërkohet impenjim dhe përgatitje sa më të mëdha, e sidomos shpirtërore, në mënyrë që, në mendjet e në zemrat tona t’i lëmë vend lindjes se Krishtit fëmijë, Shëlbuesit të mbarë njerëzimit. Kështu tha Ipeshkvi i Kosovës, Shkëlqesia e tij Imzot Dodë Gjergji në Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë në meshën e kësaj të diele, të cilën e kremtoi në bashkëmeshim me don Rrok Gjonlleshajn dhe don Fatmir Koliqin. Në lutje e uratë morën pjesë një numër i madh besimtarësh vendorë e ndërkombëtarë, të cilët punojnë e veprojnë në Kosovë. ‘Katër javët e ardhshme janë Kohë pendimi e kthimi, lutjeje në heshtje, e para së gjithash përgatitje shpirtërore për ta pritur ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ai vjen e ne duhet ta ndjejmë në mendje e në zemër praninë e tij. Kërkohet që të rrimë zgjuar, të gatshëm e të kujdesshëm, sepse dëshirat e përditshme e të pakontrolluara mund të na pengojnë qëllimin tonë në takim me Zotin, i cili na mëson se duhet të jemi gjithmonë kripa e tokës e drita e botës, sepse jemi të krishterë, që nënkupton të jesh njeri i shpresës dhe i gëzimit për vete dhe të tjerët’, tha Imzot Dodë Gjergji, duke shtuar se kjo kohë - katër javët e Ardhjes - është kohë kur secili duhet t’i kthehet vetvetes dhe të analizojë jetën e tij të përditshme. Të mos harrojmë se te të krishteret nuk duhet të ketë vend trishtimi, dëshpërimi apo zhgënjimi, sepse të besosh në Jezu Krishtin, do të thotë se shpresa e drita ndriçojnë njerëzimin në mbarë rruzullin tokësor. Pas kësaj porosie, Imzot Dodë Gjergji në fund të meshës dha bekimin e të dielës së parë të Kohës së Ardhjes.

Mrikë Ibraj, bashkëpunëtore nga Prishtina







All the contents on this site are copyrighted ©.