2014-12-03 16:06:59

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 3 dhjetor


Pritja duhet jetuar…RealAudioMP3
Thuhet se koha e sotme e ka humbur aftësinë për të pritur.
Natyrisht! E ç’mund të presim, kur e djeshmja është e vdekur; e sotmja, e paqartë; e ardhmja, e pasigurt. Paqartësia shqetëson, krijon ndjesinë e lëkundjes së tokës nën këmbë, zvjerdh të sotmen, zbeh të nesërmen, lind pështjellimin e ideve në shpirt. Atëhere pritja merr fund.
Nuk presim më, për të shmangur zgjimin e turbullt pas ëndrrës së bukur, me tmerrin e frikës në sy, përballë ngjarjeve, që mund të ndodhin, duke na shkaktuar jo pak vuajtje.
E për të mos rrezikuar, është më lehtë të mbyllemi në vetvete, të bëhemi asketikë, ose apatikë, sipas rastit.
Shpesh kënaqemi vetëm me dëshira të vogla…: hapësira e lundrimit të barkës sonë, duket sikur është vetëm paksa më e madhe se hapësira e shpirtit tonë.
Dëshira për të dalë në det të hapur na duket ëndërr e parealizueshme e toka e premtuar, kujtim i kohëve, që më s’ janë, kohë mitesh e rrëfimesh të moçme.
Kur ngujohemi brenda këtyre kufijve, mendimi varfërohet e shuhet çdo frymë krijuese, aq sa nuk jemi më në gjendje as ta shprehim dëshirën për jetë, që e kemi në shpirt.
A duhet të kënaqem me këtë klimë mbytëse?
Apo duhet të gjej fjalë, që më zgjojnë në shpirt forcën jetësore, fjalët “Beso!”, “Hape zemrën!”, “Lëshoje vetveten në dorë të dikujt!”…
Ndjej sot nevojën ta hap dritaren në të dy kapakët, të marr frymë me gjithë mushkëritë, ta pushtoj horizontin, duke dalë nga rrethi i ngushtë, ku mbyten ditët e mia.
Dëshiroj të hap rrugë të reja, horizonte të reja, ta zgjoj zemrën e fjetur, ta ndez këtë farkë dëshirash, ta vë në qendër të jetës. E pres të ulen valët e zemra ime të matet me gjerësinë e detit…
Me zemrën, zgjohet dhe pritja. Pres që nata të më mbartë pezull kah drita. E Dita e madhe të ma ndërrojë tingullin e fjalës në buzë. Pres që premtimi për një jetë të re, të shndërrohet në besimin se shpirti i Zotit vepron gjithnjë e më hap përpara rrugën e së mirës.

“Nuk duhet të jetosh vetëm me tru, por të thithësh edhe ujin e freskët të burimeve më të thella, të amshuara. Kjo nuk të pengon aspak të jesh mirënjohës për inteligjencën tënde, mjet i çmuar për t’i shqyrtuar e për t’i thelluar pyetjet, që të lindin në shpirt. Me një fjalë, duhet të dëgjosh zërin e zemrës. E kjo do të thotë edhe: të besosh në Zotin. Gjë që nuk mund të të bëjë pasiv, përkundrazi, të bën shumë më të fortë”.
(Etty Hillesum, Ditari 1941, Adelphi, Milano 2012)








All the contents on this site are copyrighted ©.