2014-12-03 16:07:25

Kardinali Parolin: Evropa të sigurojë paqen, të mos jetë bashkim burokratik


Papa Françesku ka besim në Evropën, siç e pohoi edhe kohët e fundit, në Strasburg. Gjithsesi, kontinenti nuk duhet të rëgjohet në bashkësi burokratike, por t’i kujtojë vlerat e veta e t’u japë hov të ri. Ky, përmbledhtas, mendimi i sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, që kujton 100-vjetorin e rifillimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar e Selisë së Shenjtë.RealAudioMP3

Përgjigje: - Po, jemi duke e festuar këtë 100 vjetor, edhe duke falënderuar Zotin. Sonte do të kremtohet Mesha e falënderimit pikërisht për këtë përvjetor, në Bazilkën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Jemi mirënjohës, pra, për atë, që ndodhi, Por ashtu siç thatë edhe juve, lidhja është e rëndësishme, posaçërisht sot, në një botë, që është bërë shumë më e ndërlikuar e më e kapërthyer në konflikte, në krahasim me atë, që pritej pas rënies së Murit të Berlinit, pra, pas ndryshimeve të mëdha në skenën ndërkombëtare. Prandaj sot është bërë vërtet themelore mundësia për të folur, për të dialoguar, për të biseduar e për t’i përballuar së bashku problemet e botës. Së bashku mund të shpëtojmë e së bashku edhe mund të humbasim. Prej këndej, marrëdhëniet diplomatike janë mjete, që ruajnë aktualitetin e forcën, pikërisht për zhvillimin e dialogut e të bashkëpunimit, që ndikon fuqimisht në zgjidhjen e problemeve aktuale.

Pyetje: - Në Angli, këto çaste, ndjehet fort fryma e skepticizmit për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në Evropë. Ç’mund t’u thoni sot eurodyshimtarëve, parë në dritën e vizitës së Papës Françesku në Strasburg?

Përgjigje: - Shpresoj ta bëjnë të vetin mesazhin e Papës. Shpresoj shumë për këtë. Është mesazh, që ngulmon pikërisht mbi vlerën e projektit evropian, në dritën edhe të rezultateve, që ka dhënë ky projekt. Natyrisht sot jemi para një kohe ngarkuar me vështirësi, kriza, lodhje, por është e vërtetë edhe se ky projekt u siguroi shumë breznive paqe e mirëqenie. Ka rëndësi, sidomos, që të rinjtë jo vetëm të mos e harrojnë, por sidomos, ta rizbulojnë përmasën e vlerave të këtij projekti; të mos e kufizojnë vetëm në realitetin material ose burokratik, duke mos qenë në gjendje, kështu, të vlerësojnë përmasat themelore, ato, që ishin edhe të Etërve themelues të Evropës. Ka rëndësi të nënvizohet edhe kjo. Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm për ligështitë, e dimë se ky është vërtet mjet i rëndësishëm në duart e burrave e të grave evropiane, për mbrojtjen e paqes, për realizimin e vlerave, për sigurimin e mirëqenies e edhe për vendin e tyre në botë. Vend ky, që mund ta ndihmojë vërtet botën të jetë më e mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.