2014-12-03 15:10:27

Irak: në Mosul Kalifati po i kthen Kishat në burgje


Disa kisha në Mosul janë shndërruar në burgje nga xhihadistët e Shtetit të vetëshpallur Islamik, që bëjnë ligjin në qytetin veriirakian, që nga 9 qershori i kaluar. Posaçërisht, sipas burimeve lokale, cituar nga kanali i informacionit , ditët e fundit disa të burgosur, me sy të lidhur e me pranga në duar, u zhvendosën në kishën e lashtë kaldease të Zojës së Papërlyer, në pjesën lindore të qytetit, pasi u hodh në erë burgu i Badushit.
Burime vendase njoftojnë agjensinë Fides se edhe manastiri i Shën Gjergjit, që i përkiste urdhërit antonian të Shën Ormisdës së kaldejve, është shndërruar në burg femëror. E shumëkush druhet se në mjediset e manastirit gratë detyrohen t’i shtrohen përdhunimit.
Në Mosul, të hënën, më 24 nëntor, milicët xhihadistë të Shtetit islamik, vunë sasi të mëdha lëndësh shpërthyese për ta dëmtuar sa më rëndë kuvendin e motrave kaldease të Zemrës së Krishtit, të cilin e kishin zënë që më parë, duke e përdorur si bazë prapavije.
Xhihadistët e Kalifatit, njofton agjencinë Fides Rebwar Audish Bas, prokurator i Urdhërit antonian të Shën Ormisdës të kaldejve, kanë zënë shumë kisha, duke përfshirë edhe kishat shumë të lashta.
Tejet shqetësuese hamendja se kishat mund të konsiderohen si objektiva për t’u goditur, me që janë kthyer në baza të xhihadistëve. E, natyrisht, rrënimi i kishave shumë të lashta do të ishte një dëm i pandreqshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.