2014-12-02 14:56:14

Papa Françesku së bashku me krerë të tjerë fetarë: skllavëritë moderne, krim kundër njerëzimit


Në Ditën ndërkombëtare për zhdukjen e skllavërisë, Papa Françesku dhe krerë të feve të tjera, për herë të parë në histori, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku pohohet se format e ndryshme të skllavërisë moderne, si trafiku i njerëzve, puna e detyruar dhe prostitucioni, trafiku i organeve e çdo lloj praktike kundër koncepteve themelore të barazisë, lirisë e dinjitetit të njeriut, duhet të konsiderohen krime kundër njerëzimit e të njihen si të tilla nga çdo qenie njerëzore e nga çdo komb. Në meditimin e tij, Papa Françesku qe tejet i ashpër e përdori fjalën “humanitet i cënuar”: RealAudioMP3
“Shfrytëzimi fizik, ekonomik, seksual e psikologjik i burrave dhe i grave, i djemve dhe i vajzave të vogla, aktualisht, i lidh dhjetra miliona njerëz në zinxhirin e çnjerëzisë e të poshtërimit. Çdo njeri – burrë, grua, djalë, vajzë – është imazh i Zotit… prandaj çdo njeri është i lirë… Pavarësisht nga përpjekjet e mëdha të shumë vetëve, skllavëria moderne vazhdon të jetë një plagë e tmerrshme, e pranishme në shkallë të gjerë në të gjithë botën, madje, edhe në fushën e turizmit. … U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve të fesë, liderëve, qeverive, ndërmarrjeve, të gjithë burrave e grave vullnetmirë, që ta mbështesin fuqimisht e të shtojnë radhët e lëvizjes kundër skllavërisë moderne në të gjitha format e saj”.
Një impenjim i përbashkët, që i kërkohet çdo besimi fetar të botës e çdo njeriu vullnetmirë, për të ndërmarrë veprime konkrete e nisma feje, të cilat synojnë zhdukjen e skllavërive moderne. Autoritetet më të larta kishtare katolike, anglikane, ortodokse, së bashku me liderët e feve budiste, hinduiste, hebraike dhe mbyslimane, u mblodhën në Vatikan nga Global Freedom Network (Rrjeti Global i Lirisë), organizatë ndërfetare, që është themeluar në Vatikan më 17 mars 2014 e që ka të njëjtin qëllim me deklaratën e sotme. Vërtet, liderët fetarë u zotuan të punojnë që skllavëritë moderne të zhduken brenda vitit 2020. Në takim, u ndoqën edhe videomesazhet e Patriarkut Ekumenik Bartolomeu I dhe të Ajatollahut të Madh, shehut Bashir Husein al Naxhafi, të cilët nuk mundën të merrnin pjesë personalisht. Ja deklarata:

“Ne, të nënshkruarit, jemi mbledhur sot këtu për një nismë historike, me qëllim frymëzimin e veprimtarive shpirtërore e praktike, nga ana e të gjitha feve të botës e nga ana e të gjithë njerëzve vullnetmirë, për të zhdukur përgjithmonë skllavërinë moderne brenda vitit 2020.
Në sytë e Zotit (Imami i madh i Al Azharit përdor këtu fjalën ‘fetë’), çdo njeri, vajzë a djalë, grua a burrë, është i lirë, i destinuar të jetojë për të mirën e të gjithëve, në barazi e në vëllazëri. Format e ndryshme të skllavërisë moderne, si trafiku i njerëzve, puna e detyruar dhe prostitucioni, trafiku i organeve e çdo lloj praktike kundër koncepteve themelore të barazisë, lirisë e dinjitetit të njeriut, duhet të konsiderohen krime kundër njerëzimit.
Këtu e sot, angazhohemi bashkarisht për të bërë ç’është e mundur, brenda bashkësive tona të besimtarëve e jashtë tyre, që t’i rijapim lirinë kujt është viktimë e skllavërisë, ose i trafikut të njerëzve, duke i rikthyer shpresën në të ardhmen. Sot kemi mundësinë, vetëdijen, urtinë, mjetet më të reja dhe teknologjitë e nevojshme për të arritur këtë objektiv human dhe moral”.

Këta nënshkruesit:









All the contents on this site are copyrighted ©.