2014-12-02 15:58:28

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 2 dhjetor


A di të shtegtosh? RealAudioMP3
Marr çanten, e ngarkoj mbi supe dhe mbyll portën e shtëpisë.
Për një çast e harroj frikën se mund të ec përsëri në një rrugë krejt të kotë, siç bëj shpesh. Ec pa zë.
I mësuar, siç jam, për të programuar, për të dhënë përgjigje të gatshme, për të kërkuar rrugëzgjidhje, për t’u drejtuar nga logjika e konsumit, më pushton ankthi i së papriturës, që më nxit, pastaj, të parashikoj çdo veprim e çdo strategji për qëllimet e caqet e domosdoshme, ku dua të arrij.
E kam harruar kohën e pritjes, të takimit të beftë me tjetrin, që është bërë krejt i huaj për mua.
Ec pa cak. Gjethet mbi pemë losin me dritë e diell. Viti numëron ditët e fundit. Kalendarit i dhimben fletët e shkëputura e dridhet, para perëndimit.
Për një çast heq dorë nga pyetjet shqetësuese: “Ku do të shkoj, kë do të takoj, kur do të rikthehem…?”. E lë udhën të më bëjë shteg e të më çojë mes njerëzve, mes ngjarjeve, mes të tjerëve. E lë të më çojë ku të dojë.
Hap pas hapi më duket sikur nis një jetë tjetër: shikoj e dëgjoj gjëra, që nuk i kam menduar kurrë.
Sytë njerëzve, në pritje, ndrisin e më duket sikur kënga u pikon nga shpirti. Sytë e mi takojnë sytë e të tjerëve. Shoh fytyrat e tyre, ndjej zhurmën e hapave të tyre, britmat e fëmijëve në lojë. Sodis dritë-hijet që pikturon dielli, duke perënduar në një skaj të qiellit.
E lëshoj veten në krahët e kohës, që shket e shkon, me kureshtje gjithnjë më të madhe. Duke pritur të lë edhe unë një gjurmë të re mes njerëzve, në këtë fundviti.
Vijoi të ec e turma më merr me vete, si përrua me ujë të kristaltë, që pastron. Më nxit të dal nga vetvetja. Në pritje të ngjarjes së madhe të mbarimit të dhjetorit, që ta ndryshon rrjedhën e jetës. Në se dëshron vërtet të ndryshosh…

“Kush e do vëllain e vet…”. Ja shenja për ta kuptuar nëse jemi të gjallë, sepse mund të gëzojmë shëndet të plotë e të kemi vdekur: jemi të gjallë, vetëm nëse kemi dashuri për të gjithë. Po nëse zemra na zjen nga urrejtja, nuk jemi në jetë. Mund të kemi shëndet e të mos jemi në jetë. Të japim shpirt, e të jemi gjallë. Të lutemi, prandaj, që jeta jonë të mos shuhet më të kotë, kjo jetë, që e morëm si dhuratë e për të cilën kemi etje edhe mes vuajtjeve, edhe mes ligështive tona”.
Motra Maria Campello, fragment nga “Motrat e vetmitores”.









All the contents on this site are copyrighted ©.