2014-12-02 13:53:26

Françesku: vetëm zemra e përvuajtur e njeh Zotin, teologjia bëhet në gjunjë


Kush studion misterin e Zotit të ulet në gjunjë, sepse Hyji ia zbulon vetveten vetëm zemrës së përvuajtur. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Sytë e të varfërit janë më të përshtatshëm për të parë Krishtin e, përmes Tij, edhe fytyrën e Zotit. Të tjerët, që pretendojnë ta shqyrtojnë këtë mister vetëm me anë të inteligjencës, duhet të ulen në gjunjë e të jenë të përvuajtur, përndryshe nuk do të kuptojnë asgjë. Papa Françesku theksoi të vërtetën e paradoksin e misterit të Lajmit të Mirë: Mbretëria e Zotit u përket “të varfërve në shpirt”. Reflektimi i Atit të Shenjtë ndoqi pjesën e Ungjillit sipas Lukës, që na propozon sot liturgjia. Krishti lavdëron e falenderon Atin Qiellor, sepse ua zbulon fytyrën atyre, të cilët as që llogariten nga shoqëria, ose atyre që, megjithëse të rëndësishëm, vendosin të bëhen “të vegjël” në shpirt:
“Ai na bën ta njohim Atin, na bën ta njohim këtë jetë të brendshme, që Ai ka. E kujt ia zbulon këtë Ati? Kujt ia jep këtë hir? ‘Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!’ Vetëm ata që e kanë zemrën si të vegjlit, të aftë ta pranojnë këtë zbulesë me zemër të butë e të përvuajtur, që e ndjejnë nevojën për t’u lutur, për t’ia hapur zemrën Zotit, që ndjehen të varfër; vetëm ai që ecën në udhën e vet me Lumninë e parë: të varfërit në shpirt…”.
Prandaj, varfëria është gjendje e privilegjuar për të hapur portat e misterit të Zotit. Një gjendje, që nganjëherë i mungon pikërisht atij, i cili e studion me përkushtim këtë mister për gjithë jetën, nënvizoi Papa:
“Shumë mund ta njohin shkencën, edhe teologjinë, shumë! Por nëse nuk e bëjnë këtë teologji në gjunjë, pra me përvuajtëri, si të vegjlit, nuk do të kuptojnë asgjë. Do të na thonë shumë gjëra, por nuk do të kuptojnë asgjë. Vetëm kjo lloj varfërie është e aftë ta pranojë Zbulesën e Atit, përmes Jezusit. E Jezusi vjen, jo si kapiten, si ndonjë gjeneral ushtrie, si guvernator i fuqishëm, jo, jo. Vjen si filiz, si pinjoll. Kështu dëgjuam në Leximin e Parë: ‘Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut’. Ai është pinjolli: është i përvuajtur, është i butë, erdhi për të përvuajturit e për të butët, për t’u sjellë shpëtim të sëmurëve, të varfërve, të shtypurve”.
Jezusi, vazhdoi Papa Françesku, është i pari ndër të mënjanuarit, i cili e konsideroi madje, vlerë të padiskutueshme “të qenit i njëjtë me Zotin”. Madhështia e misterit të Hyjit njihet vetëm në misterin e Jezusit, i cili përulet, përvuhet, zvogëlohet, por u sjell shëlbimin të varfërve, të sëmurëve, mëkatarëve. Jashtë kësaj kornize, theksoi Ati i Shenjtë, nuk mund të kuptohet misteri i Jezusit:
“T’i lutemi Zotit, në këtë Kohë të Ardhjes, t’i afrohemi gjithnjë e më tepër misterit të Tij e ta bëjmë këtë në rrugën, që Ai dëshiron ta bëjmë: rrugë e përvuajtërisë, rrugë e butësisë, rrugë e varfërisë, rrugë e atij, që e ndjen se është mëkatar. Kështu, Hyji vjen të na shpëtojë, të na çlirojë. Zoti na dhashtë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.