2014-12-01 16:04:55

Shtypi turk. Udhëtimi i Papës i shërben paqes dhe bashkimit


Shtypi turk i kushtoi hapësirë të madhe vizitës së Papës Françesku, parë nga gazetat kryesore si hap i rëndësishëm drejt paqes e bashkimit.
E përditshmja turke “Sabah” e përshkruan Françeskun si njeri të veprimit, njeri të përvuajtur, që solli një mesazh shprese, i cili mund të hapë një faqe të re në marrëdhëniet me Islamin. Edhe gazeta “Milliyet” vë në dukje impenjimin e Atit të Shenjtë në favor të paqes, ndërsa “Zaman” nënvizon si vullnetin e Françeskut e të Patriarkut Bartolomeu I për dialog me myslimanët, ashtu edhe thirrjen e tyre për t’u dhënë fund persekutimeve të pakicave etnike në Siri.
Në përgjithësi, vizita e Papës në Stamboll shihet si sinjal i fortë drejt bashkimit ndërmjet Kishës Katolike e asaj Ortodokse. Jo rastësisht, shtypi i kushton faqe të tëra gjestit të Patriarkut Bartolomeu I, i cili e priti Papën me një puthje në ballë: sipas agjencisë DHA, kjo “është shenjë respekti për Kishën e Romës dhe mesazh i qartë në favor të bashkimit të të dyja Kishave”.
I të njëjtit mendim, edhe gazeta “Hurriyet”, e cila citon Bartolomeun I, që e përkufizon vizitën e Papës Françesku si “hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet ndërmjet dy kishave motra”. Tri ditët e Atit të Shenjtë në Turqi shihen si rast për t’i bashkuar të tria fetë, përfshirë myslimanizmin, kundër kërcënimit të Shtetit Islamik e të terrorizmit. Citohet gjerësisht kryeministri turk Erdogan, kur thotë se “duhet të veprojmë së bashku kundër intolerancës e kjo është e mundur vetëm përmes dialogut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.