2014-12-01 14:34:25

Mesazh i Papës për Vitin e Jetës Rregulltare


Dëshmia juaj e ndritshme e jetës do të jetë si dritë mbi pishtar, për ta ndriçuar e për ta ngrohur mbarë popullin e Hyjit! Kështu shprehet Françesku në mesazhin me rastin e hapjes së Vitit të Jetës Rregulltare. “Zgjojeni botën! Ndriçojeni me dëshminë tuaj profetike, kundër rrymës”. Për këtë i nxiti Papa rregulltarët, ditën kur u hap Viti i Jetës së Përkushtuar, shpallur nga vetë Ati i Shenjtë, 50 vjet pas dekretit konciliar “Perfectae caritatis”, kushtuar përtëritjes së jetës rregulltare. Në mesazhin, që u lexua në Bazilikën e Vatikanit, Françesku shtrëngon në një përqafim reciprok rregulltarët e rregulltaret, flet për bukurinë dhe vlerën e kësaj forme të veçantë të ndjekjes së Krishtit, e cila përfaqësohet, shpjegon, nga tërë ata, që kanë vendosur të lënë gjithçka, për t’i përngjarë Krishtit më nga afër, përmes praktikimit të këshillave ungjillore.
Duke pasur parasysh nismat e shumta të këtij Viti, që do të vihen në jetë në të katër anët e botës, Papa i nxit rregulltarët për një dëshmi të ndritshme, duke u dhënë tri porosi programatike: “Të jeni plot gëzim”, domethënë, t’u tregoni të gjithëve se ndjekja e Krishtit e jeta sipas Ungjillit të tij, ta mbush zemrën me lumturi.
Të jeni të guximshëm”, ngaqë, shkruan, kush e ndjen se Zoti e do, di t’i mbështesë në Të të gjitha shpresat, duke mundur, kështu, si themeluesit e urdhërave, të hapë rrugë të reja në shërbim të Hyjit.
Porosia e tretë: “Të jeni burra e gra të bashkimit”. Ndërtues të palodhur të vëllazërisë, posaçërisht me të varfrit. Tregojini botës se vëllazëria universale nuk është utopi, por vetë ëndrra e Jezusit për mbarë njerëzimin!
U hap kështu, të shtunën e kaluar, Viti i Jetës Rregulltare, që njihet edhe si jetë e përkushtuar Zotit e të afërmit. U hap nën shenjën e shpresës së krishterë, sepse Zoti është besnik e, me mëshirën e tij, i shndërron pabesitë tona. Kushdo, që shpreson në të, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.
Kujtojmë se gjatë Vitit të Jetës Rregulltare, Papa Françesku u krijon besimtarëve mundësinë të fitojnë ndjesën e plotë.
Lidhur me kushtet, që duhen plotësuar për ta fituar këtë ndjesë, ftuam në mikrofonin tonë regjentin e Pendestarisë Apostolike, imzot Krzysztof Nykiel:

Përgjigje: - Përsa u përket kushteve, gjëja e parë, që duhet bërë, është shkëputja e plotë nga mëkati, nga çdo mëkat, edhe nga ai i lehtë; në se mungon ky kusht themelor i largimit nga mëkati dhe i pendesës së sinqertë, ndjesa nuk do të jetë e plotë, por e pjesshme.
Së dyti, është e nevojshme të rrëfehesh, të kungohesh e të lutesh sipas ndjeteve të Papës, si dhe të kryesh aktin, që Kisha ia shton ndjesës. Ndjesa e plotë mund të fitohet një herë në ditë (me përjashtim të rastit kur besimtari e fiton përsëri në të njëjtën ditë ‘in articulo mortis’), duke plotësuar të gjitha kushtet. E ndjesa e plotë, mund të fitohet edhe përmes lutjeve për shpirtin e të vdekurve të dashur.







All the contents on this site are copyrighted ©.