2014-12-01 16:49:51

Konferenca Ipeshkvnore Turke falenderon Papën


Një ditë pas udhëtimit të Papës Françesku në Turqi, Konferenca Ipeshkvnore e vendit e falenderon Atin e Shenjtë, në emër të bashkësisë katolike, për të mirat, që solli vizita e tij triditore. Ja teksti:
“Faleminderit Papa Françesku për dhuratën e vizitës Suaj në Turqi, ku mundët të takoni jo vetëm një popull punëtor e bujar, por edhe një bashkësi të krishterë plot gjallëri. Megjithëse bashkësia katolike vendase është pakicë, e di se bën pjesë në një realitet më të madh, që i jep guxim, forcë e shpresë në përballimin e vështirësive të përditshme të dëshmisë së krishterë.
Faleminderit o Atë i Shenjtë për dëshminë Tuaj në tregimin e udhës së dialogut me bashkësitë e tjera të krishtera, të pranishme në vend e, në veçanti, me vëllezërit tanë myslimanë. Katolikët e Turqisë e bëjnë të tyre ftesën Tuaj për t’u thelluar e për të favorizuar njohjen e ndërsjellë me të gjitha bashkësitë fetare, të pranishme në vend dhe, për të vlerësuar çka na bashkon.
Faleminderit Papa Françesku, sepse na kujtuat se paqja e vërtetë nuk mund të mos bazohet mbi respektin për të drejtat themelore e për detyrat, që kanë të bëjnë me dinjitetin e njeriut. E bëjmë tonën, o Atë i Shenjtë, ftesën për të qenë protagonistë të atij dialogu ndërfetar e ndërkulturor, brenda kombit tonë, për të favorizuar atë solidaritet ndërmjet besimtarëve, që është bazë e kohezionit të shëndoshë shoqëror.
Shenjtëri, bashkësia katolike e Turqisë do të lutet për shërbimin Tuaj pjetrin e Ju kërkojmë që edhe Ju të luteni për të gjithë popullin e Turqisë.
Konferenca Ipeshkvnore e Turqisë
Dr. Rinaldo Marmara, zëdhënës








All the contents on this site are copyrighted ©.