2014-12-01 17:13:52

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 1 dhjetor


Po të dëgjosh, do të orientohesh
Duke u orientuar në një Kohë, që quhet Koha e Krishtlindjes, zbulojmë se nuk mund të jetohet pa dëshira.RealAudioMP3
Dëshira është gjuha e shpirtit. E ndjejmë në thellësitë e pamata të vetvetes; është skutë, që na përket e na dallon si krijesa të ndërgjegjshme e të vetëdijshme për dinjitetin tonë.
Mund ta quajmë banesa e misterit, ngaqë në shpirtin e secilit nga ne banon jeta pa mort e bindja se dashuria nuk mund të ketë fund. Po, në këtë vend fjala “fund” nuk ka kurrfarë kuptimi.
Dashuria është pa fund. Dikush na do gjithmonë. Mendon për ne. Na dëshiron, na pret…E rrugën na ndrit përpara…
Ndjejmë, kështu, në shpirt, përmasën e pafundësisë. Po të vihemi ballë për ballë me këtë përmasë, kufijtë e kufizimet që duan të na mbajnë lidhur, duket sikur nuk ekzistojnë më: brishtësia, plagët që të kapisin, mëkati, që të largon nga burimi, pakënaqësia, që të zbraz…
Ajo e shpirtit është skutë e thellë, ku shkrihen përvoja e realitetit, e dëshiruar apo e padëshiruar, në dukje fuqimisht prepotente, konkrete, e fuqishme, e bindja, e lehtë dhe e thellë, që nuk e harron qiellin.
Në këtë vend është Zoti, që na flet. E fjalët e Tij na kujtojnë se dëshira për amshimin, e gjithëpranishme brenda nesh, është shenjë e pranisë së Atij, që na e dridh shpirtin në kënaqje pa skaj.
Krishti, duke më propozuar rishtas dashurinë e pacak, më kujton vazhdimisht kush jam, ku jam, pse e ndjej atmosferën e pritjes, kë pres me gjithë shpirt që të vijë e të më takojë.
Takimi, kjo është dëshira e shenjtë e Hyjit, që e ndjej brenda meje.
Mirupafshim në Betlehem, atëhere, pas pak kohe, por që mjafton për të kujtuar se Dikush po të pret! Ndjen atëherë dëshirën t’i flasësh, ta ftosh, ta sigurosh se edhe ti po e pret. E nisesh duke kënduar drejt tij, me një copë qielli në krahë:
“Eja Ti, që je bukuria!
Jeta jonë të pret!
Eja Ti, që je pavdekësia,
Jeta jonë të thërret.
Eja, ti që je amshimi,
Jeta jonë të kërkon,
Eja Ti, që je vetë durimi,
Jeta jonë t’adhuron!
Ti që je udha e drejtë,
Mos u zemro kur dredhojmë.
Ti që vjen drejt nga qielli,
Na shkund nëse qiellin harrojmë
Ti që zbret nga zemra e Atit
eja, lartësitë na kujto,
Ti Zot, që lind në një shpellë,
eja, prej gjumit na zgjo!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.