2014-11-30 13:03:16

Deklarata e përbashkët. Françesku e Bartolomeu: Jo, Lindjes së Mesme pa të krishterë!


Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Papa e Patriku shkuan në katin e dytë të Pallatit patriarkal për bekimin ekumenik e këtu, në Sallën e Fronit, u lexua dhe u nënshkrua “Deklarata e përbashkët”, përmes së cilës Papa e Patriku ripohojnë angazhimin për unitetin dhe bëjnë thirrje për paqe në Lindjen e Mesme e në Ukrainë.

Françesku e Bartolomeu ripohojnë me forcë dëshirën për të vijuar ecjen së bashku, për të kapërcyer, me dashuri e besim, pengesat që i ndajnë ende të dyja Kishat. “Shprehim dëshirën e sinqertë e të vendosur - lexohet në Deklaratë – që, duke iu bindur vullnetit të Zotit tonë Jezu Krishtit, t’i thellojmë përpjekjet për promovimin e bashkimit të plotë ndërmjet gjithë të krishterëve, në mënyrë të posaçme, ndërmjet katolikëve e ortodoksëve”.
Ripohohet, në Deklaratë, edhe mbështetja e dialogut teologjik, organizuar nga Komisioni i Përbashkët Ndërkombëtar, themeluar tridhjetë e pesë vjet më parë nga Patriku Dimitrios e nga Papa Gjon Pali II, që vijon të trajtojë çështjet më të vështira të historisë së dy Kishave, të cilat kërkojnë studim të vëmendshëm e të thelluar. Prej këndej, ftesa drejtuar besimtarëve t’i lartojnë lutjen e përbashkët Jezusit “ për të qenë të gjithë një gjë e vetme, që bota të besojë!”(Gjn 17,21).
Françesku e Bartolomeu shprehin, më pas, shqetësimin e përbashkët për situatën në Irak, në Siri e në gjithë Lindjen e Mesme, me një dëshirë të vetme për paqen e stabilitetin e me vullnetin për t’i dhënë fund konflikteve, përmes dialogut e pajtimit.
Më pas, edhe thirrja drejtuar të gjithë atyre, që kanë në dorë fatet e popujve, që ta thellojnë angazhimin për t’i ndihmuar bashkësitë e vuajtura, duke përfshirë edhe ato të krishtera, e t’u krijojnë kushtet të mbeten në tokën amtare. Nuk mund të dorëzohemi, pohohet me forcë në Deklaratë, e të pranojmë një Lindje të Mesme pa të krishterët, që shpallin këtu, prej dymijë vjetësh, Emrin e Jezusit. Shumë nga vëllezërit e motrat tona persekutohen e detyrohen me dhunë të largohen nga shtëpitë e tyre. Të duket deri se ka humbur vlera e jetës njerëzore e se vetë njeriu nuk ka më kurrfarë rëndësie e mund të flijohet për interesa të tjera. Dhe e gjithë kjo, tragjikisht, ndiqet me indiferencë nga shumëkush.
Françesku e Bartolomeu nënvizojnë vlerën e ekumenizmit të vuajtjes: “Ashtu si gjaku i martirëve ka qenë farë e forcës dhe e frytshmërisë për Kishën, kështu edhe ndarja e përbashkët e vuajtjeve të përditshme mund të jetë mjet me vlerë për bashkim. Situata e tmerrshme e të krishterëve dhe e gjithë atyre, që vuajnë, në Lindjen e Mesme kërkon jo vetëm lutje të vazhdueshme, por edhe përgjigjen e duhur nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare”.
Nënvizohet, pastaj, edhe rëndësia e vijimit të dialogut konstruktiv me Islamin, bazuar mbi respektin e anasjelltë e miqësinë. Të frymëzuar nga vlera të përbashkëta e të forcuar nga ndjenja të vërteta vëllazërore, myslimanë e të krishterë janë të thirrur të punojnë së bashku për dashurinë e drejtësinë, paqen e respektimin e dinjitetit e të drejtave të njerëzve, posaçërisht në zonat ku ata jetuan për shekuj në frymën e bashkëjetesës paqësore, ndërsa tani provojnë së bashku, tragjikisht, tmerret e luftës.
Françesku e Bartolomeu i nxisin të gjithë prijësit fetarë ta vijojnë e ta fuqizojnë dialogun ndërfetar si dhe të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për kulturën e paqes e të solidaritetit ndërmjet njerëzve e popujve.Deklarata e përbashkët përfundon me një thirrje për paqen në Ukrainë, vend me traditë të vjetër të krishterë, me qëllim që palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut e të respektimit të së drejtës ndërkombëtare, për t’i dhënë fund konfliktit e për t’u krijuar të gjithë ukrainasve kushtet, që të jetojnë në harmoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.