2014-11-29 18:50:51

Përqafim vëllazëror i Françeskut me Bartolomeun në lutjen ekumenike


“Ne e gjejmë gëzimin tek besimi i përbashkët në besnikërinë e Hyjit, i cili vë themelin për ndërtimin e tempullit të vet, që është Kisha”. Është një nga fragmentet kryesore të fjalimit të Papës gjatë lutjes ekumenike, kremtuar sot pasdite në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit, në zonën e Phanarit, në Stamboll. Në përfundim të ritit, Papa, duke ulur kokën, i kërkoi Patrikut ta bekonte, e Bartolomeu e përqafoi dhe e puthi.RealAudioMP3

Patriku Bartolomeu dhe Papa Françesku hynë në kishë të shoqëruar nga kori, që i lartonte Hyjit lutje të kënduara për bashkimin e plotë të gjitha Kishave. Më pas u lexua një fragment nga Libri i Zakarisë profet, kushtuar perspektivave të shëlbimit mesianik. E, pas leximit, e morën fjalën Bartolomeu I e Françesku:
“Mbrëmja sjell gjithnjë me vete ndjesi mirënjohjeje për ditën e jetuar e njëkohësisht lëshimi të dridhshëm në dorë të Zotit, përballë natës, që zbret mbi tokë”. Këtë ças muzgu, kur po niste kremtimi, kujtoi në fillim Papa, duke shprehur, në vijim, mirënjohjen për lutjen e përbashkët me Patrikun Bartolomeu, në një Kishë motër, në përfundim të një dite të ngarkuar me veprimtari apostolike e në prag të festës së Shëna Ndreut Apostull, Pajtor i kësaj Kishe. Papa kujtoi shkëmbin e patundur të premtimit të Hyjit, mbi të cilin shkelin hapa plot shpresë: “Ja, unë po të shpëtoj, o populli im i lindjes dhe i perëndimit… në besnikëri e drejtësi”, citoi Papa premtimin mesianik, për të shprehur, më pas, mirënjohjen dhe gëzimin për mikpritjen e ngrohtë të Patrikut ekumenik, e, para së gjithash, për mbështetjen e përbashkët në besën e Zotit, i cili hedh themelin për ndërtimin e Tempullit të Tij, që është Kisha,Andreu e Pjetri ishin vëllezër në fe e në dashuri; vëllezër në shpresën e Zotit të ngjallur… “Ç’ hir i madh është ta ndjesh veten vëlla me tjetrin, vëlla në shpresë e në dashuri. E të ecësh bashkë në këtë shpresë, mbështetur në ndërmjetësimin e vëllezërve të shenjtë, Apostujve Andrea e Pjetër. Kjo shpresë e përbashkët nuk të zhgënjen kurrë, sepse nuk bazohet mbi forcat tona të varfra, por mbi besnikërinë e Zotit” , theksoi në përfundim, plot shpresë, Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.