2014-11-29 14:21:05

Muzeu Ayasofia


Kisha bizantine e shekullit XIII, kushtuar Shën Sofisë (Hagia Sophia), domethënë, Dijes Hyjnore, u ndërtua nga Kostandini i Madh mbi një truall tempujsh paganë, në vitin 360. Pasi u rrënua dy herë nga zjarret, në vitin 404 dhe 532, Justiniani e rindërtoi, me synim që ta bënte bazilikën më madhështore, që nga Koha e Krijmit. Në të gjithë perandorinë u mblodhën materialet më të çmuara e mermeret më të bukura e dhjetëmijë punëtorë, të udhëhequr nga kryemjeshtrat më të njohur të kohës, punuan për më se gjashtë vjet. Kur u përurua(537), Justiniani brohoriti: “O Salomon, ta kalova!”. Pas pushtimit të Kostandinopojës nga latinët (1204) Shën Sofia u zhvesh nga stolitë më të çmuara. Më 1453, ra në duart e Otomanëve e Muhameti II dha urdhër të kthehej në xhami.
U kthye, pra, në xhami, më 1461, e pastaj, në muze të qeverisë turke, në vitin 1961. Njihet si pasuri e patjetërsueshme e Fondacionit islamik, me emrin e Sulltan Mehmetit. Në rrjedhë shekujsh u përdor edhe si depo armësh e si spital, për t’u restauruar ndërmjet viteve 1958 e 1962 nga specialistë të Universitetit të Edimburgut e, pavarësisht nga ndryshimet që pësoi vazhdimisht e nga prekjet, shumë herë në dëm të kryeveprave të saj kishtare, mbetet shembull i pashoq i artit të krishterë bizantin, me afreskun e Krishtit Pantocrator (i Gjithëpushtetshëm), gjysëm busti, pikturuar brenda kupolës madhështore, shoqëruar me ciklet ungjillore e me 12 festat bizantine. Të madhërishme edhe kremtimet, të cilat mbetën në kujtesën e atyre, që patën fatin të merrnin pjesë në to, dikur...
Përmasat vigane të Shën Sofisë e bëjnë një nga munumentet kyçe të arkitekturës të të gjitha kohëve. Bazilika, me katër minare për rreth, ka formë katrore e tri navata, stolisur me mermere e mozaikë, që të kujtojnë Bazilikën e Shën Markut, në Venedik.
Kisha e Shën Sofisë, me një bukuri të pakrahasueshme arkitektonike, mbetet monument sa i artit të vonë bizantin, aq edhe i atij të Perandorisë Otomane. Një herë Kishë (që nga viti 537), pastaj xhami e tashti muze i Republikës turke, Hagia Sophia vijon të jetë një nga monumentet më të famshme të krijuar nga njerëzimi në shekuj.
Papa Pali VI, Gjon Pali II e Benedikti XVI e vizituan Muzeun e Shën Sofisë, përkatësisht në vitet ’67, ’79 e 2006.








All the contents on this site are copyrighted ©.