2014-11-29 18:45:52

Mesha në Stamboll: ta dëgjojmë Shpirtin Shenjt pa kundërshtime


Kremtimi me karakter ndër-ritual, sot pasdite, në katedralen e Shpirtit Shenjt, në Stamboll, hapi faqen e krishterë të shtegtimit të Françeskut në Turqi. Kisha ishte plot me besimtarë të bashkësisë së vogël katolike turke dhe përfaqësues të Kishave të tjera të krishtera. Ndërmjet tyre, patriku Bartolomeu I, me të cilin Papa, pasdite vonë, pas lutjes ekumenike në Phanar, në Patriarkat, u ndalua për një takim privat. Besimtarëve të pranishëm Papa u kërkoi ta mbrojnë pasurinë e unitetit.RealAudioMP3

Besimtarët duhet të jetojnë plotësisht të bashkuar. Është populli i katolikëve të Turqisë ai, që e merr mesazhin e homelisë së Françeskut në katedralen e Shpirtit Shenjt, në Stamboll. Të pranishëm, besimtarët e katër riteve. Atyre Papa u shpjegoi pasurinë e karizmave të ndryshme, të frymëzuara nga Shpirti Shenjt, shpirti i Kishës që, mbi të gjitha, krijon unitet ndërmjet besimtarëve: nga shumë, bën një korp të vetëm, korpin e Krishtit. E gjithë jeta dhe misioni i Kishës, varen nga Shpirti Shenjt:
Kur lutemi, e bëjmë këtë sepse Shpirti Shenjt ngjall lutjen në zemra. Kur e copëtojmë rrethin e egoizmit tonë, dalim nga vetvetja e u afrohemi të tjerëve, për t’i takuar, për t’i dëgjuar, për t’i ndihmuar, është Shpirti Shenjt i Hyjit që na shtyn. Kur zbulojmë në shpirtin tonë aftësinë e panjohur për të falur, për të dashur atë, që nuk na do, është Shpirti Shenjt që na rrok. Kur shkojmë përtej leverdisë e u drejtohemi vëllezërve me dhimbsurinë, që ngroh zemrën, jemi prekur sigurisht nga Shpirti Shenjt”.
Karizmat e ndryshme në Kishë nuk janë çrregullim, siç mund të duket, janë pasuri e pamasë, sepse Shpirti Shenjt është Shpirt i unitetit, gjë që nuk do të thotë i sheshimit:
Vetëm Shpirti Shenjt mund t’i frymëzojë larmitë, shumëllojshmëritë e, njëkohësisht, të krijojë unitet. Kur jemi ne, që duam të krijojmë larmi e mbyllemi në sektarizmin e në dogmatizimin tonë, shkaktojmë vetëm përçarje; e kur jemi ne, që duam ta bëjmë unitetin sipas planeve tona njerëzore, përfundojmë në sheshim e në homologim. Por nëse e lëmë Shpirtin Shenjt të na prijë, pasuria, larushia, larmia, nuk do të shndërrohen kurrë në ndeshje, sepse Ai na nxit ta jetojmë larushinë në bashkimin e Kishës”.
Shpirti Shenjt harmonizon numrin e madh të karizmave, krijon unitet në Kishë, në fe, në dashuri, në lidhje shpirtërore. Kisha e Kishat janë të thirrura ta lënë Shpirtin Shenjt t’u prijë, me gatishmëri, nënshtrim, bindje. Rrezik është tundimi për ta kundërshtuar Shpirtin Shenjt, sepse Ai na i prish planet, e vë në lëvizje e shtyn Kishën të ecë përpara, ndërsa është më e lehtë e më e rehatshme të mbetesh në pozita të amullta, të pandryshueshme:
Në të vërtetë, Kisha tregohet besnike ndaj Shpitrit Shenjt kur nuk pretendon ta rregullojë e ta zbusë. E Kisha tregohet besnike ndaj Shpirtit Shenjt edhe kur e lë mënjanë tundimin për të shikuar vetveten. E ne, të krishterët, bëhemi dishepuj të vërtetë misionarë, të aftë për t’i pyetur ndërgjegjet tona, nëse e braktisim stilin mbrojtës, për ta lënë Shpirtin Shenjt të na prijë. Ai është freski, fantazi, risi”.
Të mbyllesh në tepri brenda ideve vetjake, të mbështetesh vetëm në forcat e tua, duke shkarë, kështu, në pelagjianizëm, të mbash qëndrim ambicioz e sqimatar, këto mekanizma mbrojtëse na pengojnë t’i kuptojmë të tjerët e të hapim dialog me ta. Kisha merr në dorëzim zjarrin e Shpirtit Shenjt, që ia ndez zemrën, përshkohet nga era e Shpirtit Shenjt, që e aftëson për shërbim dashurie, e mëson të flasë me një gjuhë, që është në gjendje ta kuptojë gjithkush:“Në udhën tonë të fesë e të jetës vëllazërore, sa më shumë ta lëmë përvujtërisht Shpirtin e Zotit të na prijë, aq më shumë do t’i kapërcejmë moskuptimet e kundërshtimet e do të jemi shenjë e besueshme e unitetit dhe e paqes. Shenjë, që të gjithë të besojnë se Zoti ynë u ngjall, është i gjallë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.