2014-11-28 17:10:10

Letra e Papës për Vitin e Jetës Rregulltare: “Zgjojeni botën!”.


“Pres nga ju ta zgjoni botën! Sepse ajo, që karakterizon jetën e përkushtuar Zotit e të afërmit, është profecia”. Kjo, thirrja që Papa Françesku i drejton botës së rregulltarëve e rregulltareve përmes një Letre, botuar në prag të përurimit të Vitit, kushtuar jetës rregulltare, që nis të diel, më 30 nëntor, e Diela I e Ardhjes. Në Letër kujtohen objektivat, shpresat e horizontet e këtij viti të posaçëm, që do të pëfundojë më 2 shkurt 2016 e do të frymëzohet nga nxitja “Jeta e Përkushtuar” e Shën Gjon Palit II.
Tri, objektivat kryesore, që Papa u thekson rregulltarëve e rregulltareve për realizimin e thirrjes së tyre: mbi të gjitha, ta shikojnë të kaluarën me mirënjohje , pa i mbyllur sytë përballë kotradiktave, fryt i ligështive njerëzore e, vijon Françesku, ndoshta edhe përballë harresës së disa prej aspekteve themelore të karizmës.

Objektivi i dytë është “ta jetosh të sotmen me pasion”, ta jetosh plotësisht Ungjillin, me frymën e bashkimit.
E i treti, shikimi plot shpresë kah horizontet e ardhmërisë, pa e humbur guximin përballë vëshirësive të shumta, që ndeshen gjatë jetës rregulltare, duke u nisur nga kriza e thirrjeve.
Mos t’ju lëshojë zemra, fton Françesku, duke iu drejtuar posaçërisht të rinjve, përballë tundimit të numrave e suksesit, e mos u tundoni aq, sa të besoni plotësisht në forcat tuaja. Fantazia e dashurisë së krishterë, pohon në vijim Papa, nuk njeh kufij e ka nevojë për entuziazëm, që ta çojë, kështu, frymëmarrjen e Ungjillit në kulturat e në mjediset më të ndryshme shoqërore. Aftësia për ta përçuar gëzimin e lumturinë e fesë së jetuar në bashkësi, e bën Kishën të rritet përmes forcës tërheqëse.
Është dëshmia e dashurisë vëllazërore, e solidaritetit, e aftësisë për ta ndarë bashkë të mirën e të vështirën, ajo që i jep vlerë Kishës. Një Kishe, që duhet të jetë farkë profetësh e, si të tillë, të aftë për të hyrë në thellësi të historisë, në gjirin e së cilës jetojnë e për t’i interpretuar ngjarjet e saj, duke denoncuar të keqen e mëkatit e padrejtësitë. Françesku nuk pret që rregulltarët të mbajnë gjallë “utopitë”, por që të dinë të krijojnë “vise të tjera”, ku jetohet logjika ungjillore e dhuratës, e vëllazërimit, e larmisë, e dashurisë reciproke.
Vendi ideal për realizimin e gjithë këtyre virtyteve janë bashkësitë e Institutit, në të cilin bëhet pjesë, që nuk duhet të shndërrohen në realitete të izoluara. Përkundrazi, Papa uron që pikërisht ky Vit i jetës së përkushtuar, të jetë rast i përshtatshëm për një bashkëpunim gjithnjë më të ngushtë ndërmjet bashkësive të ndryshme, edhe ndërmjet Kishave të ndryshme, në strehimin e refugjatëve, afërsinë ndaj të varfërve, kumtimin e Ungjillit, jetën e lutjes.
Në Letrën drejtuar rregulltarëve e rregulltareve, Papa Françesku nuk e harron rolin e rëndësishëm të laikëve, që kanë të përbashkët me rregulltarët, idealet, shpirtin, misionin.Porosia e fundit e Letrës është për sivëllezërit në ipeshkvni, që t’i nxisin bashkësitë e ndryshme për t’i thelluar karizmat, duke i ndihmuar, duke i frymëzuar e duke i mbështetur në punën e tyre, që kështu në Kishë të shkëlqejë bukuria dhe shenjtëria e jetës së përkushtuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.