2014-11-27 11:54:26

Zbulim arkeologjik: në Ramallah vendvarrosja e Shën Shtjefnit


Arkeologu palestinez Salah Hussein al Hudeliyya, në krye të skuadrës së studiuesve të angazhuar në fushatën e gërmimeve dhe të kërkimeve pranë zonës arkeologjike të Khirbert El Tireh (dy kilometra larg nga qyteti palestinez i Ramallahut) konfirmoi rigjetjen e gjurmëve, që krijojnë mundësitë për ta idetifikuar këtë zonë arkeologjike me vendvarrosjen e Shën Shtjefnit, martir i parë i krishterë. Kërkimet, realizuar nga arkeologë palestinezë dhe izraelitë, që bëjnë pjesë në një projekt të mbështetur nga Al Quds University, janë përqendruar rreth mbetjeve të një kompleksi të madh bizantin, që përfshin një kishë e një manastir. “Në një nga mjediset e studiuara, deklaroi arkeologu në mediat vendase, rimarrë nga agjencia Fides, u ndeshëm me një mbishkrim, që tregon se kjo kishë u ndërtua për nder të apostullit e kryediakonit Shën Shtjefni, martir i parë, varrosur këtu në vitin 35 pas Krishtit”.
Projekti i studimit do të krijojë kushtet për t’i vijuar kërkimet arkeologjike në këtë zonë edhe për pesë vjet. Një seksion i gjerë i zonës arkeologjike i përket patriarkanës greko-ortodokse të Jeruzalemit. Është e natyrshme ta parashikosh radhitjen e sitit arkelogjik në itineraret e shtegtimit në Tokën e Shenjtë.
Nuk mund të mos kujtojmë se ky është lajm, që meriton edhe vëmendjen e shqiptarëve, sidomos të shkodranëve, sepse i lidhur ngushtë me traditën e krishterë të qytetit, që e ka zgjedhur pikërisht Shën Shtjefnin si Pajtor. Shën Shtjefnit i qe kushtuar katedralja, ngritur për nder të martirit të parë në kështjellën e Rozafës; Shën Shtjefnit, edhe katedralja e sotme e qytetit. Shtjefën e Stefan quhen shumë banorë katolikë, që mbartin brezni në brezni kujtimin e Martirit të parë, varrosur në Khirbet El Tireh.










All the contents on this site are copyrighted ©.