2014-11-26 16:05:03

Papa: njerëzimi dhe kozmosi nuk do të shkatërrohen, por do të bëhen të përsosur


Në mbarim të kohëve kozmosi nuk do të asgjësohet, ringjallja e Zotit do ta shndërrojë jo vetëm njeriun, por edhe tokën në vend të së vërtetës, të drejtësisë e të bukurisë. E pohoi Papa Françesku gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, të cilën e përfundoi duke u kërkuar besimtarëve lutje për shtegtimin e tij të afërt apostolik në Turqi.RealAudioMP3

Qielli, toka dhe fundi i kohëve. Prej dymijë vjetësh, njeriu përpiqet ta grisë velin misterit e të mësojë ç’do të ndodhë, kur të nisë fundi i të gjitha sendeve. Janë pyetje, që bëhen në shekuj, e gjithnjë të njëllojta. Pyetje, të cilat i përsëriti edhe Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një qiell të ngarkuar me re e me reshje. Së pari, pyetja: kur do të vijë ky kalim i fundmë? E menjëherë pas: “Si do të jetë përmasa, në të cilën do të hyjë Kisha? Ç’do të ndodhë me njerëzimin? E me gjithësinë, që na rrethon?”:
Përgjigjja e Kishës është se askush nuk e di me siguri e qartësi. Papa citoi për këtë Koncilin II të Vatikanit, e pikërisht një fragment nga “Gaudium et spes”, ku pohohet se një gjë dihet mirë, falë Zbulesës së Jezusit: dihet, pra, se Hyji përgatit, për këtë ditë, një tokë të re, tokë me drejtësi e lumturi:
Më shumë se për vend, është fjala për “gjendje” të shpirtit, në të cilën shpresat tona më të thella do të përmbushen plotësisht e qenia jonë si krijesa e si bij të Hyjit, do të arrijë pjekurinë e plotë. Do të vishemi, më në fund, krejtësisht e pa asnjë kufizim, me gëzimin, me paqen, me dashurinë e Zotit e do të jemi sy për sy me Të! Është gjë e bukur ta mendosh, të mendosh qiellin… Po, të gjithë ne do të gjindemi atje lart…atje, lart, të gjithë. Është gjë e bukur, ta forcon shpirtin”.
Ndërkaq, e këtë Papa e ka shpjeguar në një nga katekizmat e mëparshme, ndërmjet atyre, që kanë arritur tashmë në qiell e atyre, që janë ende mbi dhe, ekziston një lidhje e posaçme, lidhje, që i bashkon:
“Në këtë perspektivë, është bukur të perceptosh vazhdimësinë dhe bashkimin ndërmjet Kishës qiellore, që është në Qiell, e asaj në shtegtim ende mbi tokë. Po, sepse në perspektivën e krishterë, nuk ka më dallim ndërmjet atij, që vdiq e atij, që është gjallë, por ndërmjet atij që është në Krishtin e atij që nuk është. Ky, elementi themelor, vërtet vendimtar për shëlbimin tonë, për lumturinë tonë”.
Papa Françesku u ndalua, më pas, tek aspekti i ri, që do të ketë toka e shpërblyer. E reja, pohoi, duhet parë në faktin se edhe universi, në tërësinë e tij, do të çlirohet një herë e përgjithmonë nga çdo gjurmë e së keqes, nga çdo gjurmë e vdekjes:
“Kjo, që paraqitet, si përmbushje e shndërrimit, nisur që nga vdekja e ngjallja e Krishtit, është krijim i ri; nuk është, pra, asgjësim i kozmosit dhe i gjithë asaj, që na rrethon, por arritje e çdo gjëje në përsosurinë e qenies, të vërtetësisë, të bukurisë së vet. Ky është plani, të cilin Hyji, Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë, dëshiron ta realizojë gjithnjë, e është duke e realizuar”.
Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të tjera, Papa Françesku kërkoi mbështetje e afërsi për shtegtimin e tij në Turqi, ku do të jetë nga data 28 deri më 30 nëntor. Shtegtim apostolik, ky, me karakter të thellë ekumenik e ndërfetar:
I ftoj të gjithë të luten, që kjo vizitë e Pjetrit tek vëllai Andre, të sjellë fryte paqeje, dialogu të sinqertë ndërmjet feve e harmonie në kombin turk”.









All the contents on this site are copyrighted ©.