Më 25 nëntor 1881 lindi Papa Gjoni XXIII. Duhet të ishte papa i tranzicionit.
U bë Papa i përtëritjes së Kishës, nën shenjën e buzëqeshjes. I lindur në Sotto il
Monte në Bergamo të Italisë, Angelo Roncalli u ul në selinë e Shën Pjetrit, si Papë,
më 28 tetor 1958 me emrin Gjoni XXIII. Vepra e tij që përtërini thellësisht jetën
e Kishës e të besimtarëve, nisi me thirrjen e Koncilit të Dytë të Vatikanit, e gjeti
shprehjen e vet edhe përmes enciklikave të njohura si “Mater et Magistra (Nënë e Mësuese)
dhe “Pacem in Terris” (Paqe në tokë). Nuk gabojmë kur themi se Papa Shën Gjoni XXIII
qe mirësia e zemrës në shërbim të Ungjillit. Të gjithë e quajnë shën Gjonin XXIII
“Papa i mirë”, gjithnjë i gatshëm për t’iu qasur vuajtjeve të të afërmit dhe për të
dhuruar një buzëqeshje atyre që kërkojnë pak dashuri. Një mirësi ajo e Papës Ronkali,
që nuk fillonte e mbaronte tek vetvetja por e rrënjosur thellësisht tek bindja se
pa mëshirën lajmit të mirë të Ungjillit i hiqet domethënia. Kur me 28 tetor 1958
kardinali Patriark i kryedioqezës së Venedikut, Anxhelo Ronkali u zgjodh Papë, qenë
të shumtë ata që e njihnin karakterin e përvuajtur, butësinë e bariut lindur në një
familje fshatarësh afër Bergamos. E pikërisht humanizmi do të bëhej tipari kryesor
i figurës së Gjonit të XXIII, “stili” i papnisë së tij, të cilin të gjithë, besimtarë
e jo, do të mësonin të dashuronin. Qysh kur ishte meshtar i ri Ronkali e kishte
të qartë metodën e punës së tij:“Të takohesh me të gjithë” dhe mos
ta lësh kurrë vetveten të mundesh nga vështirësitë.” Ishte ky një impenjim që
do ta mbante edhe mbasi të zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, e që më pas do ta
çonte në marrjen e vendimeve të guximshme dhe largpamëse, duke përgënjeshtruar kështu
parashikimet sipas të cilave ai do të ishte një papë kalimtar për shkak të moshës
së tij të thyer. Po aq befasues qe veprimi i Papa Shën Gjonit XXIII, kur
më 26 dhjetor 1958, veç dy muaj pasi ishte zgjedhur papë, vendosi të shkonte për vizitë
në burgun e Romës “Regina Coeli”. Pothuajse një aktualizim i asaj pjesë të ungjillit
në të cilën ati i mëshirshëm takohet me djalin plangprishës. Ja fjalët e Papës:
“Kam ardhur këtu, më patë, unë vura sytë e mi në sytë e tuaj, vura zemrën time afër
zemrës suaj. Ky takim, të jini të sigurt se do të mbetet thellë në zemrën time dhe
ky vit i ri, do të thosha, i pari vit i papnisë sime, kam kënaqësinë që po hapet me
një vepër dashurie. Në vazhdim të këtyre fjalëve po ju jap bekimin që prapë, edhe
njëherë, është simbol i asaj çka na ka dhënë I Lumi nëpërmjet sakramentit të dashurisë.
Do të doja që të ishte inkurajues për të gjithë sa jeni!” Një muaj më vonë,
me 25 janar 1959, Gjoni XXIII kumtoi caktimin e thirrjen e Koncilit II Vatikanas,
një ngjarje kjo kishtare me peshë historike, e cila sipas qëllimeve të Papës Ronkalli,
donte të “përditësonte” “azhurnonte” Kishën për ta bërë më të aftë për t’ua kumtuar
Ungjillin njerëzve të kohës sonë, duke hapur kështu një fazë të re të dialogut me
botën. Ja se si shprehej duke folur mbi shpresat që kishte vënë tek Koncili, Papa
Ronkali me rastin e shpalljes së datës së hapjes së punimeve të Koncilit, caktuar
për 11 tetor 1962: “Shumë të dashur bij! Koncili II Vatikanas është përpara
nesh, objekt i dëshirave dhe i ndjeteve mund të themi, i të gjithë botës. Ne besojmë
e shpresojmë tek Zoti!”