2014-11-24 14:15:50

Papa Françesku takohet me shtegtarët nga India


Sot, Papa Françesku u takua me shtegtarët indianë, ardhur në Romë për shenjtërimin e dy bashkatdhetarëve të tyre. Besimtarët katolikë janë nga shteti i Keralas, i ungjillëzuar nga apostujt e parë të krishterimit. Ati i Shenjtë i falenderoi për këta dy bij të Indisë, që janë pasuri për gjithë Kishën:RealAudioMP3
“Shfrytëzoj rastin për ta falenderuar Kishën në Kerala për gjithë forcën apostolike, për dëshminë tuaj të fesë! Faleminderit shumë! Vazhdoni kështu! Kerala është tokë plot me frytet e thirrjeve për jetën e shuguruar e për meshtarinë. Përpara kështu, duke punuar përmes dëshmisë!”
E për dy shenjtorët e rinj indianë, Papa Françesku pati fjalë nderimi, duke vënë në dukje dëshminë e dashurisë për Zotin, që ata dhanë me jetën e tyre:
“Atë Kuriakose Elias qe rregulltar aktiv e kundrues, i cili e shkriu me bujari jetën për Kishën Siromalabareze, duke punuar me moton ‘shenjtërimi i vetvetes është shpëtim për të tjerët’. Ndërsa motër Eufrasia jetoi në bashkim të thellë me Zotin, prandaj jeta e saj e shenjtë qe shembull e nxitje për njerëzit, që e quajtën ‘Nënë e lutjes’. E për motrat, këtë këshillë: të jenë murgesha të lutjes!”








All the contents on this site are copyrighted ©.