Papa: Shenjtorët e rinj na mësojnë t’i kushtohemi Zotit e të afërmit
Për Jezusin, të mbretërosh nuk do të thotë të komandosh, si komandon bota, por t’i
bindesh Atit, që të përmbushet plani i Tij i dashurisë e i shëlbimit. Është reflektimi
i Papës në Solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbret i Universit. Françesku kremtoi, në
Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën solemne, me ritin e shenjtërimit të italianëve Giovanni
Antonio Farina, Ludovico da Casoria, Nicola da Longobardi, Amato Ronconi e të indianëve
Kuriakose Elias Chavara, i Familjes së Shenjtë dhe Eufrasia Eluvathingal, e Zemrës
së Krishtit.
Shëlbimi nis
nga imitimi i veprave të mëshirës, përmes të cilave Jezu Krishti realizoi Mbretërinë
e Tij, Mbretëri e vërtetësisë dhe e jetës, e shenjtërisë dhe e hirit, e drejtësisë,
e dashurisë, e paqes. Papa Françesku ua kujtoi këtë rreth 50 mijë besimtarëve që,
pavarësisht nga qielli i ngarkuar me re e pikat e para të shiut, e ndoqën, të prekur
thellë në shpirt, ritin e shenjtërimit të gjashtë të Lumëve, duke shkrirë në një skenografi
të vetme, ngjyrat dhe përshpirtërinë e Indisë e të Italisë. Pas kërkesës së bërë nga
kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa shqiptoi
latinisht formulën e shenjtërimit: “Beatos Ioannem Antonium Farina, Cyriacum
Eliam Chavara a Sacra Familia, Ludovicum a Casaurea, Nicolaum Laongobardis, Euphrasiam
a Sacro Corde et Amatum Ronconi Sanctos esse decernimus et definimus”… Sot
Kisha, tha Papa, na vë përpara modelet e shenjtorëve të rinj që, pikërisht duke iu
kushtuar bujarisht Zotit e vëllezërve, kryen vepra dashurie, duke i shërbyer, kështu,
secili në fushën e vet, mbretërisë së Hyjit e duke u bërë trashëgimtarë të saj: “Secili
prej tyre iu përgjigj me frymë të jashtëzakonshme krijuese urdhërimit të dashurisë
ndaj Hyjit e ndaj të afërmit. I shërbyen pa kursim të fundmëve, skamnorëve, të sëmurëve,
të moshuarve, shtegtarëve. Dashuria e tyre për të vegjlit e për të varfrit ishte pasqyrim
e masë e dashurisë së pakushtëzuar ndaj Zotit. E kërkuan dhe e zbuluan dashurinë e
krishterë në lidhjen e fortë e personale me Zotin, nga e cila buron dashuria e vërtetë
për të afërmin”. Për të reflektuar mbi mënyrën si e realizoi Krishti mbretërinë
e tij, Papa u mbështet tek Leximi i Parë i liturgjisë së sotme, shkëputur nga Libri
i Ezekielit Profet. E duke nënvizuar dashurinë dhe kujdesin e Bariut për grigjën,
kujtoi se Krishti është Bariu i madh i deleve dhe rojtari i shpirtrave tanë: “E
të gjithë ne, që jemi të thirrur për të qenë barinj, nuk mund t’i shmangemi këtij
modeli, nëse nuk duam të bëhemi mercenarë. Lidhur me këtë, të mos harrojmë se Populli
i Hyjit ka një nuhatje tejet të hollë, kur është fjala për t’i dalluar barinjtë e
mirë nga mercenarët”. Pas Ringjalljes, që shënon fitoren e Tij, Jezusi e çon
përpara mbretërinë e përgatitur që nga themelimi i botës. Është Ati qiellor, shtoi
Papa Françesku, që pak nga pak ia nënshtron të gjitha sendet Birit e, në të njëjtën
kohë, edhe Biri ia nënshtron gjithçka Atit: “Jezusi nuk është mbret sipas mendësisë
së botës: për të, të mbretërosh, nuk do të thotë të komandosh, por t’i bindesh Atit,
duke e lëshuar plotësisht vetveten në dorë të Hyjit, që të përkryhet plani i Tij i
dashurisë e i shpëtimit. Kështu lidhja e Atit me Birin është krejtësisht reciproke.
Pra koha e ardhjes së mbretërisë së Krishtit është koha e gjatë, në të cilën të gjitha
sendet i nënshtrohen Birit e gjithçka i dorëzohet Atit”. Armiku i fundit për
t’u asgjësuar, vijoi Papa, do të jetë vdekja. E, në fund, kur gjithçka do t’i jetë
nënshtruar sundimit mbretëror të Jezusit e gjithçka, edhe vetë Krishti, do t’i nënshtrohet
Atit, “Zoti do të jetë gjithçka në të gjithë”. Ungjilli, pohoi më pas Ati i Shenjtë,
na kujton se afërsia dhe dashuria janë rregull jete edhe për ne. E sipas kësaj edhe
do të gjykohemi. Ky do të jetë protokolli i gjykimit tonë: “Në muzgun e jetës
do të gjykohemi për dashurinë, për afërsinë, për dhimbsurinë që patëm ndaj vëllezërve.
Nga kjo do të varet nëse do të na hapet, apo do të na mbyllet porta, për të hyrë në
mbretërinë e Hyjit, për të kaluar në njërën apo në tjetrën anë. Jezusi, me fitoren
e Tij, na e hapi mbretërinë e vet, po i takon secilit nga ne të përgatitet për të
hyrë, duke nisur qysh nga kjo jetë. Sepse mbretëria fillon tani, duke u bërë konkretisht
të afërm me vëllain, që lyp bukë, petka, mikpritje, solidaritet, katekizëm. E nëse
e duam vërtet këtë vëlla a këtë motër, do të ndjejmë shtytjen të ndajmë bashkërisht
atë, që kemi më të çmuar, domethënë vetë Jezusin e Ungjillin e Tij”. Papa uroi,
në vijim, që Shenjtorët e rinj, me shembullin e tyre e me ndërmjetësimin e tyre,
të na nxisin të ecim me gëzim në udhën e Ungjillit, duke e shikuar si busull të jetës
sonë: “T’i ndjekim gjurmët e tyre, ta imitojmë fenë e tyre e dashurinë e tyre
të krishterë, që edhe shpresa jonë të vishet me pavdekësi. Të mos hutohemi nga interesat
tokësore e kalimtare. E të ecim në udhën kah Mbretëria e Qiellit pas Nënës, Marisë,
Mbretëreshës së gjithë Shenjtorëve”. Në përfundim të Meshës, lutja e Engjëllit
të Tënzot, kremtuar në Shesh. Papa u ndalua rishtas tek figurat e ndritura të
Shenjtorëve italianë, lindur në Viçencë, Napoli, Kozencë e Rimini, duke uruar që shembulli
i tyre…: “Ta ndihmojë popullin e dashur italian që ta gjallërojë frymën e bashkëpunimit
e të harmonisë për të mirën e përbashkët e ta shikojë me shpresë të ardhmen, duke
u mbështetur mbi afërsinë e Hyjit, i cili nuk të braktis kurrë, as në çastet më të
vështira". Më pas edhe urimi për ndërmjetësimin e dy Shenjtorëve indianë, nga
Kerala, tokë e madhe, kujtoi, tokë me fe, me thirrje të shumta meshtarake e rregulltare:“Zoti
i dhëntë një hov të ri misionar Kishës, që është në Indi, Kishë plot gjallëri e, duke
u frymëzuar nga shembulli i tyre i harmonisë dhe i pajtimit, uroj që të krishterët
e Indisë të vijojnë ecjen në rrugën e solidaritetit e të bashkëjetesës paqësore”.