2014-11-23 15:23:10

Mesazh ngushëllimi i Papës për vdekjen e kardinalit Angelini


Ngushëllime të thella u shprehu Papa familjarëve dhe bashkësisë dioqezane të Romës, në një telegram për vdekjen e kardinalit Fiorenzo Angelini. “Mendoj me përzemërsi për këtë Atë të dashur e të nderuar – shkruan Papa - që e kreu shërbesën e tij të gjatë e të frytshme në Kishën e Romës, në Itali e në botë, së pari, në Veprimin Katolik; më pas, me zell të thellë apostolik, në spitale e në shtëpitë e mjekimit në Romë, e, së fundi, në krye të Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë”.
Kardinali Angelini, prefekt nderi i Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, vdiq në Romë, natën ndërmjet së premtes e së shtunës, në moshën 98 vjeçare.Nesër, kardinali Angelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, do të kremtojë Meshën e Dritës në Bazilikën e Vatikanit. Në përfundim të kremtimit mortor, Papa do të kryesojë ritin e Ultima Comendatio – Lëshimit në dorë të Zotit dhe të Valedictio – Lamtumirës së fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.