2014-11-23 12:52:27

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII-XIX: Kisha katolike në Shqipëri


Në emisionin e sotëm të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, do të flasim për Kishën katolike në trojet shqiptare, në ndërmjet shekullit XVIII e XIX.

Ndërmjet shekullit XVIII e atij XIX barra e rëndë e persekutimit mbi të krishterët u lehtësua, falë mbrojtjes zyrtare të Austro-Hungarisë, që nisi t’i ndihmonte me të gjitha mjetet e mundshme klerin e veprat katolike, duke u përpjekur edhe për lartimin kulturor të shekullarëve. Qysh në shekullin XVII në vend kishin nisur përpjekjet për themelimin e seminareve, por kjo u mbërrit vetëm në vitin 1856, kur në Shkodër filloi veprimtarinë e vet Seminari papnuer, nën drejtimin e jezuitëve, ku nisi të pregatitej kleri shekullar vendas, që do të drejtonte edhe selitë ipeshkvnore. Më 1877 jezuitët hapën në Shkodër shkollën e parë të mesme, "Kolegjën Saveriane”; më 1870 kishin ngritur tashmë edhe tipografinë e tyre e përgatiteshin për "misionin shetitës" në male, ku përtërinë jetën fetare.
Njëkohësisht edhe françeskanët filluan të hapin shkollat e tyre fillore e, pastaj, edhe liceun ‘Illyricum” e, sidomos, të riorganizonin famullitë, që u qenë besuar, duke përgatitur meshtarë të rinj vendas, të aftë për një punë aq të vëshirë, siç ishte puna e famullitarit të maleve.
Bashkësia ortodokse, nën vartësinë e Patriarkanës së Kostandinopojës, nuk mundi të ecte me ritmin e bashkësisë katolike, madje humbi atë pjesë të klerit, tejet të kulturuar, që kishte themeluar aq shumë qendra të lulëzuara fetare. Mjafton të kujtojmë Voskopojën e Beratin. Mbasi gëzoi për një farë kohe mbështetjen e Greqisë, iu desh të hiqte dorë nga ndihma e një Kishe, që donte të helenizonte gjithçka e gjithkënd. Kështu, ndërsa përparonte ekonomikisht me shpejtësi, Jugu mbeti shumë mbrapa përsa i përket lulëzimit të fesë e të kulturës shpirtërore. Në këto rrethana tejet të favorshme, misionarët e huaj katolikë, përkrah klerit vendas, dhanë një ndihmesë tejet të çmuar për zhvillimin e kulturës mbarëshqiptare, duke nisur nga shekulli XVIII. Për këtë ndihmesë do të flasim në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.