Evropa dhe nevoja e saj për drejtësi shoqërore e përshpirtëri
Atmosferë pritjeje për vizitën e Papës, të martën e ardhshme, në Strasburg, në Parlamentin
Evropian dhe në Këshillin e Evropës. Evropa, nënvizon kryetari i Lëvizjes federative
evropiane, Pier Virgilio Dastoli, asistent i Altiero Spinelli-t, njërit nga themeluesit
e Evropës, ka shumë nevojë për mesazhin e Papës. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Mendoj se në këtë çast krize evropiane, kësaj krize, që
vë posaçërisht në dukje mungesën e politikave, të cilat respektojnë dinjitetin e njeriut,
ndërhyrja e Papës është me të vërtetë e rëndësishme. E kjo, që politikanët të kujtohen,
më në fund, se duhet ndërruar vija, duhen ndërruar politikat, duhet ndërruar paradigma,
në një farë mënyre. Besoj që ky aspekt të jetë tejet i rëndësishëm në këtë situatë,
kur akoma ngurrohet, nësa flitet për domosdoshmërinë e ecjes në një rrugë tjetër,
të ndryshme nga kjo e shtrëngimit të rripit, që po ndiqet në këto pesë vjetët e fundit.
Besoj se në këto çaste ka shumë rëndësi për Evropën ta dëgjojë mirë mesazhin, që dëshiron
t’u përcjellë Ati i Shenjtë të gjitha institucioneve evropiane, sepse sigurisht që
në Parlamentin Evropian do të jetë edhe kryetari i Komisionit, e edhe kryetari i Këshillit
Evropian. Ka tepër rëndësi që mesazhi të arrijë në të gjitha institucionet evropiane.
Pyetje:
- Papa Françesku, në fjalimet e tij, ka gjithnjë në qendër të vëmendjes elementin
e përfilljes së periferive e, natyrisht, edhe atë të vënies së njeriut në qendër të
çdo veprimtarie jetësore: pikërisht këto elemente mund t’i shërbejnë në këto çaste
Evropës që, me sa duket, e ka humbur sysh njeriun, duke e zëvendësuar me llogaritjet
e tepruara ekonomike... Ju, si mendoni?
Përgjigje: - Absolutisht. Kjo
është bisedë e rëndësishme. Diçka tjetër, që unë besoj se do të dalë në pah patjetër
në fjalimin e Papës, është angazhimi i tij i madh në lidhje me cilësinë e Planetit
tonë. Fjala kushtuar ambientit ka përmasë morale, e jo vetëm ekonomike. E dimë të
gjithë se viti i ardhshëm do t’i kushtohet temës së ndryshimeve klimaterike: më duket
shumë pozitive marrëveshja ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Kinës lidhur me këto ndryshime.
Ndërsa Evropa akoma ngurron t’i vërë në jetë propozimet, në këtë këndvështrim. Papa
angazhohet fort për këtë temë, duke theksuar aspektin etik e moral e jo vetëm atë
ekonomik, si bëjnë shumë të tjerë. Edhe në këtë këndvështrim besoj se mesazhi i tij
mund të jetë tejet i rëndësishëm.
Pyetje: - A mund të flitet për
përshpirtëri në Evropë? Pati qenë një çast, kur u duk sikur institucionet kërkonin
një lloj “asnjanësie” e kishin një farë frike nga fetë, prej këndej, edhe nga përshpirtëria…
ndërsa sot duket sikur jemi para rizbulimit të tyre. Mendoni edhe ju kështu? Përgjigje:
- Po, e kjo, në këtë çast, është themelore. Është themelor dialogu, që respekton
karakteristikat e secilit; është themelor që roli i feve në shoqërinë tonë të bëhet
një nga elementet më të rëndësishme të tolerancës e të respektit reciprok. Kujtoj
se në kohë të tjera, e ka shumë mundësi që shumëkush t’i kujtojë, Jacques Delors pati
krijuar nismën, të cilën e quajti “Një shpirt për Evropën”: nismë e rënë në harresë.
Ndoshta duhet të rikthehemi tek fryma e kësaj nisme, që e karakterizoi gjithë presidencën
e Delors. Ndërsa gjatë dhjetë vjetëve të presidencës së Barroso-s, kjo frymë u harrua
fare. Besoj se, në këtë këndvështrim, do të ishte tejet e rëndësishme thirrja për
rikthimin tek dialogu ndërfetar.