Papa: kërkimi i bashkimit të plotë të të krishterëve është përparësi e Kishës
Të ecim së bashku, të lutemi, ta njohim e ta duam Zotin, duke bashkëpunuar së bashku
në shërbim e në solidaritet me të varfrit, të ligshtit, të vuajturit. Këtë kërkon
Papa në letrën, dorëzuar pjesëmarrësve të Mbledhjes Plenare të Këshillit Papnor për
Bashkimin e të Krishterëve, që vijon në Vatikan, me temë: “Caku i ekumenizmit; parime,
mundësi e sfida, 50 vjet pas Unitatis Redintegratio”. Në fjalët e Papës theksohet
ftesa për ta vlerësuar e për ta njohur edhe ekumenizmin e gjakut, domethënë, dëshminë
e atyre, që e ndjekin Krishtin deri në flijimin e jetës. Kërkimi i bashkimit të
plotë të të krishterëve, mbetet detyrë e radhës së parë për Kishën katolike. Mbi të
gjitha, ky bashkim është dhuratë e Zotit e vepër e Shpirtit Shenjt, pa harruar se
të gjithë jemi të thirrur të bashkëpunojmë përherë e në çdo rrethanë. Kështu e porosit
Papa Plenaren e Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, që kremton 50-vjetorin
e dekretit të rëndësishëm konciliar “Unitatis Redintegratio”. Françesku vë theksin
mbi ndryshimin e thellë të mendësisë, realizuar falë këtij teksti, ashtu si dhe mësimeve
të Koncilit II të Vatikanit, por i ftoi edhe shoqatat, lëvizjet e institutet e jetës
rregulltare, të angazhohen më shumë në këtë kohë, për ta vënë në jetë lutjen e Jezusit
drejtuar Atit në prag të mundimeve: “Që të gjithë të jemi një gjë e vetme”: “Ndërsa
falënderojmë Zotin, duhet ta pranojmë se ne, të krishterët, jemi ende të ndarë e se
divergjencat mbi temat antropologjike dhe etike e bëjnë më të ngatërruar rrugën tonë
drejt unitetit. Gjithsesi nuk duhet të shkurajohemi e as të dorëzohemi para vështirësive,
por duhet të besojmë në Zotin, që hedh në zemër të të krishterëve farë dashurie e
bashkimi, për t’i përballuar me zell të ri sfidat ekumenike të kohëve tona: për të
kultivuar ekumenizmin shpirtëror, për të vlerësuar ekumenizmin e gjakut, për të ecur
së bashku në udhën e Ungjillit”. Fryma armiqësore dhe indiferenca, që krijuan
hendeqe, në dukje të pakapërcyeshme, e u hapën plagë të thella të krishterëve të Kishave
të ndryshme e bashkësive kishtare, tashmë i takojnë së kaluarës, pohon Ati i Shenjtë,
duke shprehur kënaqësinë për tharmin e ri, për bashkëpunimin e ri, për pajtimin e
bashkimin ndërmjet gjithë besimtarëve. Sot, vijon Shenjtëria e Tij, të krishterët
vihen së bashku në shërbim të njerëzimit të vuajtur e nevojtar, punojnë bashkë për
mbrojtjen e jetës njerëzore në dinjitetin e saj të padhunueshëm, për mbrojtjen e gjithësisë
e kundër padrejtësive, që mundojnë njerëz e popuj, duke e realizuar faktikisht ekumenizmin
e vërtetë shpirtëror: “Ekumenizmi shpirtëror jeton e zhvillohet përmes kanaleve
të panumërta, që i shikon vetëm Zoti, por që shpesh edhe ne kemi gëzimin t’i njohim:
është një rrjet botëror çastesh lutjeje, i cili që nga niveli famullitar tek ai ndëkombëtar,
përhap në korpin e Kishës oksigjenin e frymës së vërtetë ekumenike; një rrjet gjestesh,
në të cilat bashkohemi për të kryer, krah për krah, një mori veprash të dashurisë
së krishterë”. Akoma më shumë, theksoi Papa, ashtu si na mëson Unitatis Redintegratio,
duhet të mësohemi për të vlerësuar ekumenizmin e gjakut: domethënë, të mësohemi për
të njohur aftësinë e vëllezërve e motrave të Kishave e të bashkësive të tjera për
ta dëshmuar Zotin deri në flijimin e vetë jetës, duke pasur mirë parasysh se kush
i persekuton të krishterët, nuk bën kurrfarë dallimi:“Dëshmi të tilla nuk kanë
munguar kurrë në këto 50 vjet e vijojnë edhe në ditët tona. Na takon ne t’i pranojmë
me e fe të lutemi që forca e tyre të na shtyjë të ecim në udhën e vëllazërimit të
plotë. Ata, që e persekutojnë Krishtin në besimtarët e tij, nuk pyesin për ndryshimet
ndërmjet konfesioneve: i salvojnë thjesht sepse janë të krishterë”.