Thirrje e Papës për Lindjen e Mesme: vendime guximtare për paqen
Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa bëri përsëri thirrje për Lindjen e Mesme,
pas atentatit në Sinagogën e Jeruzalemit: “Ndjek me shqetësim thellimin e tensionit
në Jeruzalem e në vise të tjera të Tokës së Shenjtë, me episode të papranueshme dhune,
që nuk i kursejnë as vendet e kultit. Lutem në mënyrë të posaçme për viktimat e kësaj
situate dramatike e për gjithë ata, që pësojnë pasojat. Nga thellësia e zemrës u bëj
thirrje palëve në lidhje me ngjarjen, t’i japin fund spirales së urrejtjes e të dhunës
e të merren vendime të guximshme për pajtim e paqe. Të ndërtosh paqen është vështirë,
por të jetosh pa paqe, është torturë”.