2014-11-19 17:15:02

Shqipëri: Presidenti Nishani kërkon reformën e drejtësisë.


Shqipëria synon një sistem drejtësie sipas standardeve evropiane, afatgjatë, transparent dhe me gjyqtar të përgjegjshëm për rëndësinë e vendimeve të tyre. Këtë do të japë si kontribut misioni Euralius IV për reformën e sistemit gjyqësor në Shqipëri. Presidenti Shqipërisë Bujar Nishani me anë të një mesazhi të qartë gjatë prezantimit të projektit Euralius IV, i bëri thirrje politikës së vendit të vijojë nga puna me reformën në drejtësi, pasi siç tha ai, edhe pse të gjithë aktorët politikë shprehën vullnetin në tryezën e organizuar nga Presidenti, reforma është ende në ngërç.
Duke mos e konsideruar proces automatik që ndodh vetvetiu, por si rezultat i hapësirave konkrete, thirra në 6 tetor në një takim gjithëpërfshirës për të diskutuar për reformën në drejtësi. Të gjithë aktorët vendas të bashkëorganizuar prezantoheshin me përgjegjësi të dyfishtë si llogaridhënës që presin që drejtësia të funksionojë. Besoj se mesazhi politik gjatë konferencës doli qartë dhe fort: Jo korrupsionit, jo kapjes së gjyqësorit, po reformës gjithëpërfshirëse. Ky ishte hapi i parë i një procesi që duhet të dalë nga rrethi vicioz, larg qëndrimeve fragmentare, pseudoreformë për hir të reformës, por që të transformojë sistemin. Me keqardhje e them, procesi është ende në ngërç. Takimet që pasuan atë të 6 tetorit nuk po godasin në shenjë, nuk avancohet me teza të njëjta, të gjithë në sulm ndaj sistemit, nuk avancohet reforma me debate të personalizuara. Gjej rastin që përmes këtij takimi të bëj thirrje publike, të nisim sa më parë dhe seriozisht punën”.
Ku ka vullnet gjendet rrugëdalje, tha Presidenti Nishani, e tashmë që vullnetet janë shprehur është koha ti përvishemi punës, jo konferencave. Institucionet e drejtësisë nuk duhet të rrinë në vend numëro. Mbështetja ndaj parimeve dhe vetëm parime dhe dhënia e drejtësisë dhe vetëm e drejtësisë janë aksioma të pandryshueshme”.
Presidenti Shqipërisë Bujar Nishani tha se ka besim që misioni Euralius IV do japë kontribut për reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri. “Misioni aktual Euralius IV besoj që do sjellë ekspertizën më të mirë të mundshme për reformën në gjyqësor dhe do ti shërbejë forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe besimin e qytetarëve tek sistemi gjyqësor.’
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin bëri thirrje që reforma në drejtësi të jetë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që siç tha ajo, "drejtësia është esenca e demokracisë së një vendi dhe BE është gjithnjë e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në këtë drejtim". Romana Vlahutin, vuri theksin tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si plagët kryesore që duhen shëruar në Shqipëri.
Ambasadorja Vlahutin tha se “një sistem funksional drejtësie është një garanci për të gjithë qytetarët. Prandaj dhe BE ka ndihmuar Shqipërinë me fonde të shumta në këtë drejtim. Shqipëria duhet të punojë për të njehësuar ligjet e saj me ato të BE-së dhe ne jemi këtu për të dhënë ndihmën tonë”. Sipas saj, Misioni Euralisu IV vjen si një konsorcium bashkëpunimi gjermano-austriako-holandez për të ndihmuar Shqipërinë për të ndërhyrë në drejtësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.